Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar në lidhje me arrestimin e një Kryekomisari nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore. Stiljan Pasho ishte shef i Sektorit të Shërbimeve të Kufirit në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë. Ai dyshohet për përfshirje në “Trafikim të narkotikëve”.

Balla shprehet se që në fillim kur erdhi në krye të detyrës ka thënë se asnjë rrënjë kanabisi nuk rritet pa një polic që paguhet për të mos e parë. Ministri shpreh përgëzimet e tij për AMP-në dhe shpreh besimin e forcimit të bashkëpunimit me agjenci të tjera ligjzbatuese si SHISH, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK.

Reagim i Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla:

Kur unë mora detyrën u shpreha se një rrënjë kanabisi nuk ka shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi nuk ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur. Sapo është ndaluar nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore një Kryekomisar, me detyrë Shefi i Sektorit te Sherbimeve te Kufirit ne Drejtorine Vendore te Kufirit dhe Migracionit Korçë, i dyshuar për pëfshirje në “Trafikim të narkotikëve”.

Përgëzoj Agjensinë e Mbikqyrjes Policore për dokumentimin e plotë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Korçë.

Shpreh besimin se drejtimi i ri AMP dhe forcimi i bashkëpunimit me agjencive e tjera ligjzbatuese si SHISH, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK do ta intensifikojnë procesin e vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit.

Përgëzime dhe vetëm përpara!