Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj ka kujtuar sot ditëlindjen e ish-presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ky i fundit lindi më 2 dhjetor të vitit 1944.
Përmes një mesazhi kushtuar liderit historik të Kosovës, Gjekmarkaj thekson se Ibrahimaj u mungon sot shqiptarëve për vizionin dhe urtësinë e tij.
MESAZHI
Ikja e një Prijësi si Ibrahim Rugova i gërryen gjithmonë muret e historisë me vikamat që nuk gjejnë asnjëherë shërim. Gjithçka e tij u mungon shqiptarëve kudo që ata ndodhen, vizionet, urtësia, intelektualizmi, qëndresa, ndikimi, fjala e doktrina e tij shpirtërore.
Nuk i rishpikëm më asnjëherë Gjergj Kastriotin, Pjeter Bogdanin ndoshta as Rugova nuk do të ketë të ngjashëm. Kolosi i brishtë mbetet një. Thjesht Kombi ynë duhet të gëzohet që e pat në një periudhë kur koha shqiptare përcaktonte me gjasë fizionominë e vet për shekujt në vazhdim. Ndoshta në këtë përvjetor të 79-të duhet të risjell në vëmendje përkufizimin e At Zef Pllumit një tjetër burri që i desh të vetët evropiane, pro atlantikë, shqiptarë të besës e shpresës, tolerantë e të ditur. “Ibrahim Rugova u sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe nga kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dituni e ma i urti i të tanve…”. Kujtimi i tij mbetet një akademi e politikes, atdhedashurisë, etikes dhe identitetit europian të shqiptarëve. Të qoftë e lehtë lendina Prijësi modern i shqiptarëve. Me ty të gjithë u ndiem aksionerë në qytetërimin e madh perëndimor.
Agron Gjekmarkaj
Zevendes Kryetar i Kuvendit të Shqiperisë