Disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla duke i thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, duke iu referuar vrasjes së Ademajt.

Sipas dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një qendër në Gjakovë në ora 9:30 minuta në mëngjes.

Ky takim kishte ndodhur pas një takimi rreth një javë para natës së vrasjes, ku Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën.” “Kokalla ishte munduar t’i jepte zgjidhje Murselit duke i thënë ‘unë ta zgjidh këtë punë”, sipas mediave kosovare.

“Naim Murseli i ka treguar te pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore me të ndjerën Liridona Murseli, i pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘unë ta zgjidh këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar”, thuhet në dosjen e Prokurorisë. Kështu të dyshuarit kanë inskenuar një grabitje, nga e cila kishte rezultuar më pas vrasja e Liridona Ademajt.

Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar, ku Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka.” Pas këtij takimi Naim Murseli, kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla, i cili ia kishte dhënë.

Sipas dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me vrasësin, që në këtë rast sipas prokurorisë dyshohet të jetë, Granit Plava. Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli me qëllim që të vriste bashkëshorten e tij, është marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për të kryer këtë akt.

Naim Murseli kishte siguruar armën dhe e kishte pajisur më armë vrasësin dhe kanë inskenuar një grabitje, inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit të këtij viti rreth orës 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi.”

Sipas dosjes, kur Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishin në makinën e tyre, papritmas del para veturës i dyshuari Granit Plava me maskë në kokë dhe armë në dorë ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijë ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes ndërsa në veturë ka mbetur Liridona Murseli.

Ajo nuk kishte arritur të dalë nga vetura, pasi dyshohet se ishte qëlluar në pjesën e qafës më një plumb, duke mbetur e vdekur në vend.

Gjithë inskenimi, sipas dosjes së prokurorisë, ishte bërë pas një premtimi për rreth 30 mijë euro që Murseli i kishte bërë Plavës për kryerjen e vrasjes.

Mbi Naim Murselin rëndon vepra penale e vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, kurse për Plavën rëndon vepra penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa për Kushtrim Kokallën marrëveshje për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.