Pas seancës së tensionuar sot në Kuvend, komisariati nr.1 në kryeqytet ka mbledhur provat brenda sallës parlamentare, flakadanët që janë hedhur dhe pamjet e kamerave të sigurisë.

Mësohet se flakadanët do të dërgohen për ekspertizë për gjurmë ADN-je për identifikim të personave autorë. Materialet për veprat penale do i referohen Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përkatësisht për deputetët e PD-së, Albana Vokshi dhe Flamur Noka.

Jo vetëm incidentet në seancën e kësaj të hëne, por janë referuar të gjitha ato të javëve të fundit në Kuvend.

Për situatën ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, duke konfirmuar se këto akte tejet të rënda janë referuar në mënyrë të përsëritur në Prokurori.

Kodi Penal përcakton qartësisht në nenet 151 dhe 154 veprat penale të shkatërrimit/dëmtimit me dashje të pronës me zjarr dhe me mjete të tjera, të cilat dënohen deri në pesë vite burg.  Ndërsa këto akte të rënda janë referuar në mënyrë të përsëritur në Prokurori, institucioni i akuzës duhet të garantojë se ligji zbatohet njëlloj për të gjithë dhe deputeti nuk mund t’i shmanget ligjit kurrësesi, duke përfitur apo duke u fshehur pas imunitetit”, thotë Balla.