Përkeqësohen aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në Shqipëri, për lëndën e Matematikës, Leximit dhe Shkencës, sipas rezultateve të “PISA 2022”.

Në vlerësim janë përfshirë rreth 2600 nxënës të rreth 274 shkollave, që mbyllën arsimin e detyrueshëm 9-vjeçar.

Sipas ekspertit të arsimit, Ndriçim Mehmeti, rezultatet e nxënësve janë ulur ndjeshëm, jo vetëm në krahasim me vitin 2018, por jemi kthyer në nivelin e vitit 2004 që Shqipëria u bë pjesë për herë të parë në këtë vlerësim.

Në Matematikë, 15-vjeçarët shqiptarë u vlerësuan me një mesatare prej 368 pikë krahasuar me mesataren prej 472 pikësh në vendet e OECD.

Në këtë lëndë, Shqipëria ka bërë uljen më të madhe, me 69 pikë në krahasim me rezultatet që ka arritur në 2018.

Sipas Mehmetit kurrikulat e reja mund të jenë dhe një ndër shkaqet.

Nga rezultatet e Programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve të “PISA 2022” Shqipëria është renditur në vendin e 62, ndër 80 vendet që kanë marrë pjesë në testim.

Duke u renditur një ndër vendet me rezultatet më të dobëta në rajon. Serbia pozicionohet në vendin e 38-të, Mali i Zi renditet në vendin e 50-të, Maqedonia e Veriut pozicionohet në vendin e 56-të ndërsa vetëm Kosova është poshtë nesh e cila është në vendin e 76.