NGA BUJAR QESJA

Thjeshtësia deri në 100 përqind i Sabri Zallës, nuk ia aplifikoi fort jubileun e lindjes. Është plot 90 vjeç. Dhe një dekadë, mbush shekullin. Pyeta një mikun tim:

-Si mund ta urosh një 100-të vjeçar?

Sabri Zalla! Legjendë e profesionit të vështirë, të ekspertit kontabël të autorizuar. Kështu është formulimi. Nëse ia reduktojmë këtë emërtim, i bie të quhet thjesht ekonomist. Por i formuluar në mënyrë më të fisme, mund të quhet edhe mjeshtri i lapsit, apo lapsi i mprehtë i ekonomistit.

Vonë e mësova gjatë ditës së sotme, që Sabri Zalla mbushi 90-të vjeç. Se cilët janë Zallat e Shijakut, që sigurisht origjina e tyre duhet të jetë Kruja, mund të pyesësh laboratorin mahnitës të kujtesës, së mjeshtrit të historiografisë së Shijakut Niko Sudarin. Sabriu është fëmija i tretë i “Sulë Shqipes”, siç është në emërtimin popullor Sulejman Zalla. Ky “Mësues i Popullit”, që u largua nga jeta në vitin 1963, la pas 10 fëmija si drita, 5 djem e 5 vajza. Janë me jetë katër prej tyre Sabriu, Vera, Shqipja dhe Dashamiri.

Çfarë familje është ky Sabri i Zallave? Çfarë prerje është ky Sabri Zalla, babai i kontabilitetit durrsak? Ekonomisti shumë më i ri në moshë dhe ky kostum tjetër fin i kontabilistit Doranin Agalliu, formulon fjalë të zgjedhura kur flitet për mësuesin e tij Sabri Zallën. Sabriu, burri simpatik shijakas, që hijeshon rrugët e Durrësit kur ecën, hokatar, i muhabetit, me trup që ia kanë zili edhe sportistët profesionistë, as ka ndërmënd të plaket. Shembulli i jetëgjatësisë, i regjimit, i lëvizjeve, por edhe i shpirtit që nuk prish qejf dhe i përshtatet çdokujt.

Në tërësi i njoh Zallët. Me sa di janë një fis, por me shumë degëzime. Po më shkruante një ditë, intelektuali i njohur krutan Zim Teta, “ Merru një ditë me Zallët Bujar, pasi në historinë e tyre, janë shumë sportistë dhe nderohesh me jetët e tyre”. Eh sa na janë bërë temat e shkrimeve, duke ngjasur me dispencat e provimeve kur studionim për gazetari!

Ky Sabri Zalla, si një traktor i fuqishëm, ka “pluguar” me lapsin e tij në shumë ekonomi si NFB, NB Sukthi, NTI, NTUS, Turizmi, derisa pas 90-tës në rastin më të parë e tij dhe siç flitet dhe trajtohet në opinion, Sabri Zalla është numër njëshi nga ekonomistët në Durrës, duke e njohur në majë të gishtave këtë profesion delikat dhe aspak të lehtë.

Sabriu është vëllai i Sofijes, gruas së urtë dhe fisnike. Ajo lidhi jetën me “Mësuesin e Merituar”, kolosin e mësimdhënies së historisë në Durrës Danish Bebeziqin. Izeti dhe Bedrija, prindërit e Danishit, janë “Mësues të Popullit”. I jati i Sabriut Sulejmani është po “Mësues i Popullit”. Tezja e Zallës ekonomistit tonë, motra e Hatijes -nëna Shaja është e ëma e Cerlojve të njohur si Sula, Petriti, Zari, Dimti dheTixhja. Çfarë lidhjesh? Çfarë fisi? Daja i Sabriut, është luftëtari i njohur shijakas Qemal Deliallisi, trim i rrallë dhe legjendë.

E nuk kishte, se ku të gjante ky Sabri jetëgjati. E mërkurë, 6 dhjetor 2023. Sabri Zalla 90 vjeç. Marshalla! Zanatin e trashëgon tek i biri, por ende mbetet majë e pathyer e lapsit të fortë, solid, temperues të kontabilistit. Dorë e fortë e ekonomistit. I qetë dhe energjik, i respektuar dhe kavaljer, mik dhe shok i preferuar, i padorëzuar në m, e prefiksi i moshës do të jetë gjithnjë në ndryshim, Sabri Zalla ka të drejtë të gëzojë, madje deri në delir.

Jetë e gjatë, itensive, me ngjarje, me dukuri herë të mira dhe herë me problematika, por gjithnjë mbeti i njëjti, fitues, duke kalëruar i sigurtë në shifrat e panumurta që rregjistronte lapsi i tij magjik.

Sabri Zalla, 90 vjeç. I forti i Zallëve, ka ende rrugë jetësore për të bërë. Shoqërisë tonë mirë i bëhet, pasi janë me frymë dhe të fortë shembulli i kuadrit, intelektualit, konvertuar në zanatin e nderuar dhe të vështirë të ekonomistit kontabilist. Bilancet të “marrin shpirtin”. Janë të vështira, por është më nderuesi nga ky zanat gjithnjë i kohës. Dhe ky Sabri i Zallave me hapin e atletit, kujton stacionet e panumërta të shifrave, që jo vetëm nuk ia shkurtuan jetën, por deri tani e kanë çuar në kufij lakmues të 90-të viteve.

E kam ndjekur në mjaft veprimtari të Shoqatës “Durrësi”, kur drejtonte Halil Myderrizi, Shpëtim Metani dhe palca e të urtëve durrsakë me Koç Koretën, Selami Dakolin, Nikolla Jorgonin, Polikseni Koçin, Agim Shehun, Ilia Toçin, Salvator Sotoirin, Ali Sula, Koçi Moisiu, Ibrahim Tatani e plot mentarë të tjerë. Në mbrëmjet që organizoheshin, Sabri Zalla të befasonte me kërcimin e tij. Poqe se nuk e njihje, mund ta merrje për balerinë klasi.

Sabri Zalla, nuk kisha se si të mungoja në këtë gëzim tëndin sot, lapsi i një bashkëqytetari tëndin, mik i kahershëm i shijakasve dhe me origjinë nga Kruja, për të thënë shkurt disa fjalë për ty dhe të të uronte me thirrje zemre.

U bëfsh për momentin 100 dhe më pas ta shohim, se si mund të ndërtojmë urimin! Të duam kështu të fortë dhe vital siç je! Sabri Zalla, lapsi i fuqishëm i ekonomistit.