Kompania spanjolle e prodhimit të birrës “Damm”, me vendim të Gjykatës Supreme, është detyruar t’i paguajë rreth 130 mijë euro pronarit të një lokali, i cili humbi syrin si pasojë e shpërthimit të një shisheje birre me defekt.
Ngjarja e paprecedentë ndodhi në vitin 2015, në Vilafranca del Penedès (Barcelonë), kur një nga shishet, që ishte ende brenda kutisë plastike, shpërtheu papritmas dhe një nga kristalet i ra në sy pronarit të lokalit. Kjo bëri që ai të humbiste plotësisht syrin, të cilin mjekët u detyruan t’ia hiqnin. Nisur nga këto rrethana, burri ngriti një padi kundër kompanisë Damm dhe siguruesit Aig Europe Limited, ku kërkoi 152 877 euro si kompensim për dëmin e pësuar.
Edhe pse mund të duket e thjeshtë, procesi nuk ishte aspak i lehtë. Në fakt, Gjykata e Shkallës së Parë e Barcelonës hodhi poshtë pretendimin, duke theksuar se “ka dyshime se si ndodhi shpërthimi” dhe pse viktima “nuk kishte vërtetuar asnjë veprim të pamatur nga Damm”.
Përveç kësaj, kompania shpjegoi procesin e kontrollit të cilësisë që shishet kalojnë, pa u konstatuar asnjë problem apo defekt. Megjithatë, më vonë, Gjykata e Barcelonës e la në fuqi ankesën dhe urdhëroi kompaninë dhe siguruesin që ta kompensonin atë me 127 927 euro.