Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve në Europë e rendit Aeroportin e Tiranës “Nënë Tereza” në një ndër pesë aeroportet që kanë regjistruar rritjen më të lartë të trafikut të pasagjerëve krahasuar me periudhën para Pandemisë, referuar Tetorit të 2019-ës, kur fluturimet nuk i njihnin ende kufizimet.

Krahasuar me periudhën e katër viteve më parë, aeroporti i Rinasit duket se ka shënuar një rritje prej 134 përqind të trafikut të pasagjerëve, deri në Tetor të këtij viti.

Deri në javën e parë të Dhjetorit, Autoriteti i Aviacionit Civil raporton se janë regjistruar mbi 6 milionë e 730 mijë pasagjerë.

Ndërkohë, në raport theksohet se performancat më të mira dhe shifrat më të larta vijnë nga aeroportet e tregjeve në zhvillim të aviacionit si dhe nga stimulimi i transportit ajror me kosto të ulët ku bën pjesë tashmë edhe Shqipëria.

​Sipas Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve në Europë ky vrull i vazhdueshëm i trafikut ajror ka nxjerrë në pah aeroportet të cilët po fuqizohen gjithnjë e më shumë sa i përket fluksit të pasagjerëve, siç është edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit.

Pas bumit turistik veror Shqipëria vijon të ketë vizitorë të shumtë edhe në periudhën e vjeshtës dhe dimrit, pasi në shifrat e fundit zyrtare deri në fund të Nëntorit vendi ynë ka regjistruar 9.53 milionë turistë, ndërsa pritet që kjo shifër, sipas projeksioneve të paraqitura nga qeveria të mbërrijë deri në 10 milionë, deri në fund të dhjetorit.