Është zbardhur shkresa e SPAK drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Shkresa është firmosur sot më datë 12 nga kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.
Në dokument kërkohet ndryshimi i masës nga ‘detyrim paraqitje’ në arrest me burg ose arrest shtëpie për Berishën.
Shkresa e plotë
E nderuar znj. Kryetare e Kuvendit! Të nderuar Deputetë të Kuvendit !
Mbështetur në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 231, 260, 288, 289 të K.Pr.Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali BERISHA, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal shtrëngues nga ajo e “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr. Penale, në atë të arrestit në burg/ arrest në shtëpi, parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale, në kuadrin e procedimit penal nr. 287 të vitit 2020, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.
Gjithashtu në respektim të nenit 288 pika 2, të K.Pr.Penale, bashkalidhur gjeni relacionin e arsyetuar, të shoqëruar me provat përkatëse.
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin.