Napoli mundi me shifrat 2-0 Bragën dhe siguroi biletën për fazën me eliminim direkt në Champions League.

Mbrojtësi kosovar, Amir Rrahmani, përgëzoi shokët për këtë sukses, ndërsa u shpreh se ishte një fitore e merituar.

“Shënuam dy gola të shpejtë, të cilët na mundësuan ta kalonim këtë fazë. Sa herë që luajmë me formacionin e zakonshëm, është më e lehtë për të gjithë ne të shfaqim më të mirën në fushë. Kishte shumë ndeshje në të cilat kemi bërë shumë ndryshime për shkak të dëmtimeve, por tani grupi është i plotë dhe rezultatet po vijnë. Braga pati disa goditje në portë, është një skuadër që luan futboll të bukur, por fituam duke bërë një paraqitje të mirë. Ishte mjaft e rëndësishme të fitonim dhe të festonim me tifozët tanë në shtëpi”, u shpreh Rrahmani për “Sky Sport”.

Gjithashtu mbrojtësi i Kosovës, u ndal edhe te trajneri i ri Walter Mazzarri.

“Mazzarri është një maestro i taktikës, është shumë i vëmendshëm për gjithçka që bëjmë dhe edhe për këtë jemi përmirësuar. Disa ndeshje që i kemi humbur na sollën rezultate false, siç ishin takimet me Real Madridin, Interin e Juventusin. Shpresojmë të vazhdojmë kështu, rruga është e gjatë. Objektivin e parë që është kualifikimi në fazën tjetër e kemi arritur. Në javët e fundit jemi përballur me kundërshtarë të fortë dhe ne kemi qenë në një situatë delikate pas ndryshimit të trajnerit. Por, jemi të lumtur tani dhe duhet të argëtojmë tifozët duke luajtur ashtu siç dimë ne”, u shpreh Rrahmani.