Paris Saint-Germain ka shfaqur dëshirën për t’u përforcuar në merkaton e janarit me futbollistin Casemiro.

Mesfushori i Manchester United ka qenë i lidhur me një transferim në janar gjatë javëve të fundit, pasi nuk ndihet më i lumtur në “Old Trafford”.

Sports Zone raporton se gjigantët francezë duan të nënshkruajnë me Casemiro dhe agjenti i tij punon për një lëvizje të mundshme.

Megjithatë, klubi Al-Hilal i Arabisë Saudite është konsideruar si një destinacion i mundshëm dhe mund të ofrojë një kontratë me vlerë mbi 15 milionë sterlina.

Ndërkaq raporti shton se një klub italian i paidentifikuar është gjithashtu në garë për të nënshkruar me 31-vjeçarin.

Tifozët e United i janë përgjigjur interesimit të PSG-së duke propozuar një marrëveshje ambicioze shkëmbimi për Casemiro.

Një tifoz i bëri thirrje kampionëve francezë që të përfshijnë Kylian Mbappe dhe United t’u japi Casemiro-n dhe Rashford.

The Guardian raporton se Casemiro është i lirë të largohet nga Old Trafford në janar për të ndihmuar në mbledhjen e fondeve për të forcuar skuadrën e Erik ten Hag.

Ai ka luftuar për të shfaqur formën e tij më të mirë te United, që nga transferimi i tij nga Real Madrid në vitin 2022 për 70 milionë sterlina.

Si rezultat, “Djajtë e Kuq” thuhet se janë të hapur për të fituar para, pavarësisht se Casemiro ka më shumë se dy vjet në kontratën e tij.

Pesë herë fituesi i Champions League ka shënuar katër gola nga mesfusha në 12 paraqitje këtë sezon.

Megjithatë, ai ka mbetur jashtë fushës për shkak dëmtimi që nga tetori dhe nuk pritet të kthehet para Krishtlindjeve.