Gjatë një takimi me bizneset në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, kreu i opozitës, Lulzim Basha komentoi ndryshimet kushtetuese të Kodit Zgjedhor që pritet të kalojnë sot në Kuvend.

Ai tha se opozita do kontestojë çdo ndryshim antikushtetues, ndërsa shtoi se qeverinë e Rmaës, që e quajti bandë hajdutësh, nuk ka asnjë formulë që e shpëton nga humbja e zgjedhjeve.

“Shkatërrimi i institucioneve të Shqipërisë është arsyeja pse kjo bandë e ka katandisur kështu vendin. Hapat që merren sot janë thellësisht antikushtetues. Analizën e kanë bërë ekspertët e PD, por ky është tmerri dhe frika e Ramës nga procesi zgjedhor. S’ka formulë që e shpëton nga votimi popullor sikur vetëm nga premtimet e pa mbajtura ai do largohet me votë plebishitare nga shqiptarët. Do kontestohet çdo hap antikushtetues si ky i sotmi që është në kundërshtim me 5 qershorin dhe standardet e OSBE, por s’ka formulë që e shpëton këtë bandë që e cilëson Shqipërinë si çifligun e saj. Ju lus mbajeni mendjen tek ekonomia, te shqiptarët që sot do e shtrojnë vaktin e radhës vetëm me bukë. Kjo është emergjenca kombëtare, hajdutët s’ka gjë që i shpëton”,- tha kryedemokrati.