Tirana listohet si një nga destinacionet për të kaluar pushimet në vitin 2024. Kësaj here është prestigjiozja amerikane “HuffPost” që i sugjeron lexuesve të saj amerikanë për ta vizituar.

Ata kanë pyetur ekspertë të udhëtimeve për të parashikuar trendet e destinacioneve për vitin e ardhshëm. Sigurisht mes 27 vendeve, qyteteve apo ishujve ndodhet edhe Tirana.

“HuffPost” thotë se Shqipëria nuk është ende e njohur nga të gjithë, të paktën për momentin.

“Kjo është arsyeja pse një vend si Tirana mund të jetë një destinacion ideal për ata që kërkojnë diçka ndryshe”, shkruan HuffPost.

Ekspertja Laura Lindsay vlerëson infrastrukturën dhe fluturimet drejt vendit tonë dhe faktin që ka më pak turistë në krahasim me destinacionet e tjera evropaniane si Italia, Greqia apo Portugalia.

“Plazhet e bukura të rivierës shqiptare, kostoja e ulët e jetesës e bëjnë atë një destinacion të madh veror me buxhet të ulët. Shqipëria ka qytete historike për të eksploruar”, shprehet ajo ku i vë theksin edhe organizimit të festivaleve të ndryshme muzikore.

Ky lajm nuk i ka shpëtuar as kryeministrit Edi Rama, i cili e ka shpërndarë në rrjetet sociale.