Real Madridi ka ndërtuar një strategji të re për të nënshkruar me Kylian Mbappe.
Sulmuesit francez i përfundon kontrata me Paris Saint-Germainin në fund të sezonit dhe ka refuzuar rinovimin.
Në këto kushte ai është i lirë për të negociuar me një klub tjetër nga janari dhe Real Madridi ka gati ofertën për ta joshur t’i bashkohet projektit.
Mbappe do të ketë një pagë neto prej 26 milionë eurosh në vit – më shumë se dyfishi i çdo lojtari tjetër në skuadër, dhe më e larta në historinë e Real Madridi. Gjithashtu ai do të ketë një bonus nënshkrimi prej 130 milionë eurosh.
Drejtori i Përgjithshëm i Real Madridit, Jose Angel Sanchez, në fillim të janarit do t’i paraqes ofertën agjentes së Mbappe, Fayza Lamari, e cila është nëna e tij.
25-vjeçari do të ketë dy javë kohë nga marrja e ofertës për të marrë vendimin e tij, raporton “Marca”.
Nëse Mbappe nuk përgjigjet në kohë, oferta nuk do të jetë më e vlefshme, por “Los Blancos” janë të sigurt se do të marrin shërbimet e kapitenit të Francës.
Real Madridi ka një repart sulmi të frikshëm, që po sjell rezultate impresionuese me Jude Bellingham, Vinicius Junior dhe Rodrygo. Pa harruar edhe Endrick Felipe, që do t’i bashkohet ekipit në merkaton e verës.
Nëse Mbappe tenton të vonojë apo ndryshojë negociatat, atëherë Real Madridi do të largohet nga bisedimet, pasi nuk janë të gatshëm të rrisin ofertën sërish.





