3150 anëtarë të PD-së Durrës pritet të votojnë ditën e shtunë (3 tetor) nga ora 10:00 – 18:00 te pallati i kulturës “Aleksandër Moisiu”, ku do të votohen emrat e kandidatëve të përzgjedhur nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve.

Nga rreth 350 emra që u propozuan gjatë mbledhjeve të grupseksioneve nga baza e PD-së Durrës, komisioni i përzgjedhjes së kandidatëve pritet të sjellë në bazë për votim 25-30 emra.

Madje, edhe mënyra e votimit të kandidatëve do të jetë e ndryshme, pasi nuk do të votohet kandidati më i preferuar nga anëtari i PD-së, por do të votohen 1-5 emra që nuk i pëlqejnë votuesit.

Por në të njëjtën kohë, nëse anëtari i PD-së është dakord me listën që paraqitet për votim, ai mund ta kalojë atë në bllok, pa seleksionuar asnjë kandidat të papëlqyer.

Mënyra e re e votimit është përzgjedhur për të evituar pikërisht lobimet brenda partisë për kandidatë të veçantë që mund të kenë mbështetje të gjerë në anëtarësi. Por ende nuk dihet nëse lista që do të sjellë selia qendrore në Durrës për votim do t’i kënaqë të gjithë pretendentët.