Është vetëm 6 vjeç, por vogëlushi nga Durrësi Ansi Zoto, spikat me talentin e tij në sportin e Shahut, duke i lënë të impresionuar të gjithë të afërmit dhe mbi të gjitha, profesionistët e fushës.
Ai së fundmi ka fituar Kampionatin Kombëtar për Moshat, zhvilluar në stadiumin kombëtar “Air Albania”.
Zoto është nga ata fëmijë që tregon më së miri se mosha nuk do të thotë asgjë kur brenda fshihet një talent i madh. Duke treguar disiplinë, forcë dhe zgjuarsi, ka aspirata për një të ardhme të mirë për këtë 6-vjeçar nga Durrësi.
Teksa shumëkush mund të bëhet kureshtar se si u zbulua talenti i këtij “gjeniu të vogël në shah”, babai i tij, Andi Zoto, tregon në një komunikim me “DurrësLajm” se gjithçka lindi si një lojë mes vogëlushit e gjyshit të tij, që kur ai ishte në kopsht.
“Ansi e ka filluar sportin e shahut në moshën 4 vjeç e gjysmë. Fillimisht kjo lojë nisi me gjyshin e tij si diçka për të kaluar kohë, por gradualisht ai na habiti të gjithëve pasi e mësoi shumë shpejt dhe filloi të luajë me gjyshin e tij çdo pasdite pasi dilte nga kopshti. Në moshen 5-vjeçare ka filluar stërvitjen në sportin e shahut me Profesor Lorenc Ramaj”, tregon babai i tij.
Gjatë kësaj periudhe, Ansi ka marrë pjesë në disa turne që janë zhvilluar, ku vlen për t’u përmendur:
- Turneu i parë ishte në muajin prill 2019 në qytetin e Durrësit, ku u zhvillua Turneu Ndërkombetar “New Chess Generation”;
- Në qershor 2019 mori pjesë në “Kampionatin Kombëtar të Shahut” të organizuar në qendrën rinore në Tiranë;
- Në shtator 2019 mori pjesë në qytetin e Strugës në Turneun Ndërkombëtar “Lake Queen 2019”;
- Në tetor 2019 mori pjesë në qytetin e Ohrit në Turneun Ndërkombëtar për të rinj.
Në të gjithë këto turne ai është paraqitur në mënyrë dinjitoze duke dhënë shenja për një të ardhme në sportin e shahut.
Gjithashtu, gjatë periudhës së pandemisë janë zhvilluar dhe shumë turne miqësore online, tek të cilat Ansi ka qenë gjithmonë pjesëmarrës.
Më 26 – 27 shtator në stadiumin kombëtar “Air Albania” u zhvillua Kampionati Kombëtar për moshat. Në këtë turne Ansi vetëm 6 vjeç, në 5 ndeshje të luajtura fitoi 4 ndeshje duke zënë vendin e parë për djem për grupmoshat nën 8 vjeç.
Këtë vit Ansi ka filluar klasën e parë dhe po ambientohet me një mënyrë më sistematike të programimit të kohës, pas përfundimit të shkollës duke përgatitur detyrat dhe më pas për të ndjekur pasionet e tij. Ai gjithashtu ka dhe një pasion për futbollin, ku për rreth 1 vit e gjysmë stërvitet rregullisht 3 herë në javë.
Babai i Ansit, shprehet padiskutim krenar për talentin e birit të tij. Ai zotohet se si familje do të bëjnë të pamundurën që Ansi të ndjekë krahas mësimeve, edhe pasionin për këtë sport.
“Ansi na ka habitur me pasionin e tij për shahun , ky sport nisi më shume si një lojë për të mbushur ditën, për ta hequr nga videlojërat dhe për të zhvilluar një sport që të vë në lëvizje mendjen. Nuk e menduam se do të arrinte rezultate kombëtare.
Ky rezultat na ka bërë shumë krenarë dhe do të përpiqemi që ai ta vazhdojë pasionin për sportin e Shahut”, thotë ai për “DurrësLajm”.
S.L.





