NGA BUJAR QESJA

Foto që më çon në vitin 2002. Kisha marë detyrën e drejtorit të teatrit ” A. Moisiu” dhe filluan kontaktet kombëtare dhe ndërkombëtare, për afirmimin e vlerave të kulturës durrsake

Kishim marrë një ftesë nga shoqata aktive e shqiptarëve në Rimini të Italisë, që drejtohej nga spitallasi Edmond Kumaraku, për të dërguar humoristët tanë atje. Shkuam me Fadil Hasën, Roland Koçan, Muharrem Hoxha dhe Edmond Halili.

Në këtë foto jam me mikun e vjetër dhe kushëririn nga babai Fadil Hasën. Gjyshja ime Sabrije Ferra, me Xhemal Hasën, të jatin e Fadilit ishin vajzë dhe bir teze.

Humori i Fadilit është organik, jo artificial dhe me sforcime.

I jati i Fadilit Xhemal Hasa, i kishte të vetat batutat e humorit. Kur flisje me të vdisje së qeshuri. I thanë njëherë Xhemalit, se sa i ke ngjarë Fadilit. Dhe Xhemali lëshon batutën:

– Unë i kam ngjarë Fadilit, apo Fadili mua! Unë e kam bërë Fadilin, apo Fadili më ka bërë mua!

E qeshura shkon në kupë të qiellit. Kur isha një herë me hallën time duke ecur, shikojmë që përballë nesh po vinte Xhemal Hasa.

– Dëshire, Xhemali. Jemi me vonesë nxitojmë. Xhemali do të na mbaj.

– Ecim, më foli halla. Nuk besoj të na shikoj se është keq me sytë.

Sa afrohemi, vazhdojmë rrugën. Xhemali nuk priti, por lëshoi reagimin:

– Pse sflet ti mor goc? A nuk po dojshit me më fol?

Na kapi gazi, e lam nam para Xhemalit.

– Po burrë i vjetër, i tha Dëshirja dhe thamë se nuk po na shikon.

Disa prej këtyre muhabeteve i bënim me Fadilin në tragetin e linjës Ankona – Durrës. E lamë shpejt Riminin, në një sukses të jashtëzakonshëm. Dhe unë dhe Fadili, duhej të ndodheshim pa tjetër në Durrës.

Kjo foto aty është bërë. Ka qenë një udhëtim i paharruar. Humori i Fadilit ” më hodhi në tokë”.

E publikoj këtë pamje, si homazh për artistin e madh të humorit Fadil Hasën, krutanin që veç e nderoj Durrësin tonë të përbashkët.

Bujar Qesja

Durrës: 6 janar 2024

Në foto, nga e majta Fadil Hasa dhe Bujar Qesja. Në tragetin e linjës Ankona – Durrës.

Vjeshtë, 2002.