Një aksident tragjik me pasojë një viktimë dhe tre të plagosur ka ndodhur në Itali. Ngjarja ndodhi në Pontebanna, ku humbi jetën një shqiptar 30 vjeç, identiteti i të cilit nuk është bërë ende i ditur.
Viktima ishte shofer në një makinë tip “Fiat Punto”. Bashkë me të në momentin e aksidentit ishte edhe një shok i tij, po ashtu shqiptar. Ata u përplasën nga një makinë tip “Mercedes Benz” ku udhëtonin dy italianë.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se “Mercedesi” ka dalë në korsinë tjetër, duke u përplasur me “Fiatin”. Në vendin e ngjarjes shkoi policia dhe ambulanca. Shqiptari u transferua menjëherë në spital, por për shkak të plagëve shumë të rënda ndërroi jetë pak më vonë.
Si pasojë e aksidentit shumë të rëndë rruga në fjalë u mbyll për rreth 4 orë.





