Në dosjen hetimore të mjekut Dervish Hasi që u la në burg nga Gjykata e Tiranës me akuzat “trafikim i të miturve” dhe “pornografia”, për shkak se për 2 vite mbajti një të mitur si gruan e tij të katërt, janë bërë me dije detaje të reja nga dëshmia e prindërve të të miturës por edhe vetë vajza.

Kallëzimi për të është bërë nga i ati i vajzës 16-vjeçare i cili pretendon se 42-vjeçari i ka bërë lavazh truri 16-vjeçares, pasi dhe kjo e fundit nuk pranon të ndahet prej tij duke vijuar kështu lidhjen prej dy vitesh.

Të dy prindërit sipas dosjes hetimore të publikuar në media, i kanë kërkuar disa herë mjekut të mos kishte me kontakte me vajzën, por nga ana tjetër edhe vajza nuk i ka dëgjuar për ta bërë një gjë të tillë “duke u shprehur se nëse do ndahej prej tij, do të vriste veten”.

Në kushtet që vajza e tyre nuk pranonte në asnjë mënyrë të shkëpuste kontaktet me mjekun, sipas dosjes hetimore referuar dëshmisë së dy prindërve, këta të fundit thonë se i kanë kërkuar edhe vetë mjekut Hasi që të shkëputej nga vajza e tyre.  Ky i fundit ka thënë “S’po bëjmë asgjë të keqe”.