Kryetari i Lëvizjes Qytetare URA dhe ish-kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç ka deklaruar se qeveria në më pak se njëqind ditë në detyrë, ka arritur të prishë marrëdhëniet me tre shtete partnere të Malit të Zi në NATO: Kroacinë, Turqinë dhe Gjermaninë.
“Për shkak të mosdorëzimit të shtetasit turk Binali Çamgoz, kemi ardhur në situatën e prishjes së bashkëpunimit të jashtëzakonshëm me Republikën e Turqisë. Ky bashkëpunim ka ndodhur në vitet e kaluara me kënaqësi reciproke. Një numër i madh i kriminelëve nga Mali i Zi kanë qëndruar shpesh në Turqi dhe anasjellas, kriminelët nga Turqia kanë ikur në Mal të Zi, por me bashkëpunimin e prokurorive ka pasur shkëmbim informacioni, arrestim dhe ekstradim të atyre personave”, tha Abazoviç.
Duke komentuar “duelin” e ashpër mes ministrit Miloviç dhe nënkryetarit të GP të URA-s dhe deputetit Filip Adzhican në Komisionin Kushtetues, ai tha se është plotësisht e qartë se qeveria aktuale po mbron mafien, duke theksuar se Milovic pengoi ekstradimin e Çamgozit.