Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar Zllatan Arsiqin nga akuza për krime lufte, që përfshinte periudhën gjatë vitit 1999 në Kamenicë. Me aktgjykimin e shpallur të hënën, më 5 shkurt, atij i është ndërprerë edhe paraburgimi.

Arsiç akuzohej se bashkë me pjesëtarë të policisë serbe dhe të grupeve paramilitare kanë marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të banorëve të Kamenicës, me rrethinë. Ai akuzohej edhe për dëmtim me qëllim të pronave të shqiptarëve. Sipas aktakuzës, ai kishte ndaluar, me veturë të policisë serbe, personin me iniciale B.M dhe familjarët e tij dhe më pas i kishte keqtrajtuar.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës thuhet se kjo kishte ndodhur në mars të vitit 1999, pas bombardimeve të NATO-s.

“Ku po i dërgon këto cigare, UÇK-së po ia dërgon”, citohet t’i ketë thënë Arsiq në stacionin policor në Kamenicë, personit B.M, sipas aktakuzës. Personi B.M ishte rrahur nga Arsiç, në bashkëkryerje me persona të tjerë, thuhet në aktakuzë. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se pas kësaj, B.M ishte kthyer në shtëpinë e djegur, nga ku ishte dëbuar. “Në oborr i akuzuari e kishte goditur kërcënuar me vrasje e më pas policia serbe e kishte liruar atë dhe familjen e tij”, thuhet në aktakuzë.