Deklarata e ish-zëvendës Kryeministrit Arben Ahmetaj, bërë në emisionin Çim Peka Live në Syri Telelvizion, riktheu dhe njëherë në vëmendje një prej skandaleve më të mëdha financiare të lidhura me mbetjet gjatë qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Ahmetaj ngriti pikëpyetje të mëdha, mbi shpërdorimin e 19 milionë eurove për ndërtimin e Eko Parkut në Durrës, që konsiston në mbylljen e ish-vendgrumbullimit të vjetër të depozitimit te mbetjeve urbane të bashkisë Durrës në Porto Romano dhe krijimin e një parku me terrene sportive dhe hapësira të gjelbërta.

Emisioni Plug, do të hedh dritë mbi pikëpyetjet e ngritura nga Arben Ahmetaj në emisionin Çim Peka Live, duke zbërthyer skemën e kompanive, që morën 19 milionë euro për të mbuluar me dhè mbetjet urbane në Porto Romano dhe për të ndërtuar disa fusha sportive, mbjellë disa pemë apo për të thurur me rrjetë teli ish-landfillin e mbetjeve.

Në muajin maj të vitit 2019, në emisionin “Open” të gazetares Eni Vasili, në atë kohë në Top Channel, kryeministri Edi Rama deklaronte se fusha e mbetjeve në Porto Romano do të rehabilitohej në bashkëpunim me kompanitë private.

Por teksa bënte këtë deklaratë, duket se kreu i qeverisë nuk shprehte vetëm indicien se si do të kryhej, por kishte dhe të dhënat se nga kush do të realizohej Eko Park. Edhe tek “Eko Park”, ashtu si në rastin e inceneratorëve, kompania që vetëofrohej për të hartuar projektin dhe zbatuar atë më pas, është ajo e inceneratorëve.

Gjithmonë Zoto

Emisioni Plug, ka parë një kontratë bashkëpunimi mes Integrated Energy BV SPV dhe studios arkitekturore, Casanova Hernandes Architects.

Kjo kontratë mban datën 1 prill të vitit 2019, dhe ka si objekt krijimin e projektit të Eko Parkut dhe zbatimin e tij në terren.

Që në hyrje të kontratës, qartësohet se kompania Integrated Energy BV SPV, që në atë kohë kishte administrator Giusepe Caffaglionen( dhe pronar në Hollandë) kërkonte zhvillimin e projektit të Eko Parkut në Durrës nga kompania Casanova Hernandes Architects.

Shoqëria IEBV SPV shpk autorizon nëpërmjet kësaj kontrate Casanova Hernandez Architects të zhvillojë projektin e plotë të një Eko-Park në Durrës mbi një landfill aktual, nga faza konceptuale deri në fazën e zbatimit. Ekipi i IEBV SPV shpk do të jetë përgjegjës për zhvillimin e projektit të të gjitha aspekteve teknike që lidhen me landfillin ekzistues, ndërsa Casanova Hernandez Architects do të jetë përgjegjëse për hartimin e të gjitha aspekteve që lidhen me projektin e peizazhit në krye të tij.

Të dy ekipet do të punojnë në bashkëpunim të ngushtë për të përshpejtuar procesin dhe për të garantuar realizimin e mirë të tij.

Këtu del qartë, se kompania e inceneratorit të Tiranës, kishte garanci se ajo do të zbatonte projektin në terren, duke ndarë madje edhe detyrat që do të kryente së bashku me kompaninë që do të dizenjonte projektin. Në këtë pikë, mbetet për t`u sqaruar se:

– Nga e dinte Integranted Energy BV SPV, që Edi Rama do të kontraktonte një kompani Private për një Procedurë të tillë?

– A ka komunikuar vetë Edi Rama me pronarët e Inceneratorit të Tiranës për këtë procedurë?

– A ka qenë kryeministri Edi Rama që ka kërkuar projektin nga kompania Casanova-Hernandez?

– Kush ja dha kompanisë të dhënat teknike për një pronë publike, për të hartuar projektin?

– Si mund të nënshkruhej një kontratë e tillë bashkëpunimi, për një punë publike, ndërkohë që nuk kishte ende asnjë fond, tender apo shpallje zyrtare për një projekt të tillë.

Por, dy muaj pas firmosjes së kësaj kontrate, ashtu siç përmendëm në fillim të emisionit, ishte kryeministri Edi Rama, ai që njoftoi se Eko Parku në Durrës do të ndërtohej nga privati. Ai deklarim i 30 majit 2019, i bërë nga kryeministri në ekranin e televizionit kombëtar Top Channel, media e akuzuar tashmë nga ish-zëvendës kryeministri Aben Ahmetaj si e paguar nga paratë e inceneratorëve, i hapi rrugë zyrtarisht aferës 19 milionë euro në Durrës.

Madje, vetë Top Channel, 1 ditë pas shpalljes publike që kreu i qeverisë Edi Rama i bëri projektit, realizoi një kronikë televizive në ish-landfillin e Porto Romanos, ku tregonte ndër të tjera se si do të shndërrohej ai në Eko Park, duke pasqyruar pikërisht projektin e studios Casanova Hernandes Architects, e cila për këtë projekt u pagua rreth 220 mijë euro nga kompania e Klodian Zotos.

Në 10 korrik të vitit 2018, në mbledhjen e radhës të këshillit bashkiak, të asaj kohe, u votua vendimi Nr. 533, për “Shpalljen e emergjencës mjedisore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve urbane në territorin e bashkisë Durrës”.

Ky vendim, i hapte rrugë kryebashkiakut të Durrësit në atë kohë, Vangjush Dako, të niste bisedimet me koncensionin e inceneratorit të Tiranës për dërgimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës.

Vendimi i Këshillit Bashkiak

Gjetja e një alternative për depozitimin e mbetjeve. Të kërkohet mbështetja teknike si dhe kryetarit t`i jepet e drejta të bashkëpunojë me institucionet e qeverisjes vendore dhe koncensionarin e landfillit të Tiranës për gjetjen e një zgjidhje efikase për depozitimin e mbetjeve dhe zgjidhjen e emergjencës.

Njëkohësisht, ky vendim do të shërbente edhe si mundësi për shpërdorimin e mbi 19 milionë dollarëve për mbylljen e venddepozitimit ekzitues të mbetjeve të bashkisë Durrës që ndodhej në Porto Romano.

Një vit pas këtij vendimi të Këshillit Bashkiak të Durrësit, në Agjencinë e Prokurimeve Publike, më datën 21 tetor 2019 shpallet një tender me fond limit 1 684 288 721 lekë i cili kishte si objekt të kontratës “Mbylljen e vënddepozitimit ekzitues të mbetjeve të ngurta Eko Park Durrës”.

Procedura qëndroi e hapur për rreth një muaj. Por çuditërisht, në datën 3 dhjetor 2019, vetëm tre ditë para se të hapeshin ofertat për tenderin prej 19 milionë euro të Eko Parkut, anulohet procedura e tenderit.

Në atë moment, pakkush mund t`i kushtonte vëmendje kësaj procedure, për shkak se Shqipëria ishte ende e mbërthyer nga tragjedia e sapondodhur e tërmetit të 26 nëntorit.

Në fakt, ky tërmet shërbeu për t`i dhënë qeverisë një as të ri për të përdorur e shpërdoruar 19 milionë eurot e Eko Parkut. Në datën 16 dhjetor të vitit 2019, Edi Rama në cilësinë e Kryetarit të Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile të krijuar për tërmetin, firmosi dhe një vendim të ri për Eko Parkun.

Bëhet fjalë për vendimin Nr.6 të datës 16 dhjetor 2019, me objekt: Për menaxhimin e mbetjeve të krijuara nga tërmeti i datës 26 nëntor. Sipas këtij vendimi, që kishte vetëm dy pika, mbetjet e krijuara nga tërmeti në të gjitha zonat e prekura do të dërgoheshin në Porto Romano në Durrës.

Mbetjet inerte të krijuara nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, në qarqet Durrës, Lezhë dhe Tiranë të transportohen dhe të depozitohen në venddepozitimin e Porto-Romanos, Bashkia Durrës.

Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve të marrë masat e nevojshme për inkapsulimin e zonës së Porto-Romanos dhe rijetësimin e kësaj zone me procedurë të përshpejtuar, në kushtet e emergjencës së krijuar. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Kështu, qeveria i hapte rrugë projektit të Eko Parkut, pa zhvilluar tender.

Madje, grumbullimi me detyrim që mbetjet e rrënojave të tërmetit të dërgoheshin në Porto Romano, lehtësonte zbatimin e projektit të Eko Parkut. Por le të ndalemi fillimisht tek ajo çfarë ndodhi fill pas vendimit të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Cvile.

Në datën 21 dhjetor të vitit 2019, pra vetëm 5 ditë pas vendimit të firmosur nga Kryeministri Edi Rama për dërgimin e mbetjeve inerte në Porto Romano, midis kompanisë Viktoria Invest International sh.p.k dhe kompanisë De Mare S.R.L, lidhjet një marrëveshje bashkëpunimi (Join Venture), për të marrë pjesë në procedurën tenderuese të AKUM.

Pesë ditë më pas, në datën 27 dhjetor 2019, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanaizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, publikon në buletinin e Prokurimeve Publike, njoftimin për lidhjen e kontratës me objekt: Mbyllja e vendepozitimit ekzitues të mbetjeve të ngurta Eko-Park Durrës.

Kontrata lidhet mes AKUM si autoritet kontraktor dhe bashkimit të dy operatorëve ekonomik, De Mare srl dhe Viktori Invest International.

Çmimi i ofertës për këtë projekt ishte 1,626,949,848 lekë pa TVSH ose 1,950,115,822 lekë pa tvsh. Thënë ndryshe, Eko Parku do të kushtonte rreth 19 milionë euro me TVSH.

Trekëndëshi De Mare, Victoria Invest, Artcon

Pa shkuar më tej, le të sqarojmë fillimisht cilat ishin dy kompanitë, që, në kulmin e tragjedisë më të madhe natyrore që kishte goditur ndonjëherë Shqipërinë, marrin 19 milionë euro pa iu nënshtruar procedurave të prokurimit. Kompania “De Mare Albania”, u krijua në datën 18 tetor të vitit 2019, apo tre ditë përpara se AKUM të shpallte për herë të parë procedurën e prokurimit publik për Eko-Parkun.

Kjo Kompani, duket se u krijua enkas dhe qëllimisht për të marrë pjesë në këtë garë, pasi, siç rezulton deri më tani, kompania “De Mare Albania”, nuk është futur apo së paku nuk ka fituar asnjë tender tjetër publik në fushën e mbetjeve dhe jo vetëm, në Shqipëri. Kompania De Mare Albania, ka si kompani mëmë, kompaninë De Mare SRL, një shoqëri e së drejtës italiane, e themeluar më 2 janar të vitit 2009, me seli në Potenza të Italisë. Në datën 28 shkurt të vitit 2018, kompania De Mare SRL, me administrator Fausto De Mare regjistrohet dhe hap një degë dhe në Shqipëri.

Nga ana tjetër, kompania Victoria Invest International, është një kompani shqiptare në fushën e ndërtimit, e cila ka marrë dhjetëra tendera publik nga pushteti lokal dhe ai qëndror apo dhe ente publike. Në të shkuarën, kjo kompani është lakuar në media, për lidhjet e saj me ish-kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, ku në një rast, Taulant Balla akuzoi Lulzim Bashën se përdorte një automjet që ishte i regjistruar në emër të kësaj kompanie.

Madje, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat të datës 17 nëntor të vitit 2023, ngriti akuza ndaj Lulzim Bashës, kur u shpreh se ish-kreu i partisë, ndaloi çdo denoncim për aferën prej 19 milionë eurosh të Eko Parkut.

Le të rikthehemi përsëri te data 27 janar 2020, datë kur bashkimi midis kompanive De Mare Albania dhe Viktoria Invest International, nënshkruajnë kontratën 19 milionë euroshe për ndërtimin e Eko-Parkut në Durrës.

Viktoria Invest dhe De Mare Albania, duket se nuk do ta ndërtonin vetë Eko Parkun në Durrës. Ndaj, katër muaj pasi firmosën kotrantën 19 milionë euroshe me AKUM, këto dy kompani lidhin marrëveshje me një nënkontraktor për kryerjen e punimeve në terren.

Në datën 14 maj të vitit 2020, De Mare dhe Viktoria Invest kontraktojnë kompaninë ARTCON, në pronësi të Denist Ymerit, për të kryer punimet në terren për ndërtimin e Eko Parkut.

Sipas marrëveshjes, kompania ARTCON e Denist Ymerit, do të zbatonte projektin e Eko Parkut për një vlerë prej rreth 649 milionë lekë pa TVSH, ose thënë ndryshe për rreth 6 milionë euro, apo gati 13 milionë euro më pak se sa kontrata që kishin firmosur De Mare dhe Viktoria Invest me AKUM për zbatimin e këtij projekti. Objekti I kontratës për nënkotraktorin ishte ky:

Porositësi i beson sipërmarrësit, realizimin e punimeve civile të parashikuara në Aneksin 1 i quajtur preventive punimesh që do të kryhen në funksion të projektit “Mbyllja e Vëndepozitimit ekzitues të mbetjeve të ngurta EKO-PARK, Durrës”. Sipërmarësi merr përsipër të realizojë punimet e mësipërme me cilësi dhe integritet të plotë në respekt të programit ekzekutiv, duke marrë nën përgejgësin e çdo lloj nevoje që do të kërkohet për realizimin e këtij projekti.

Bashkëngjitur kontratës mes dy kompanive De Mare Albania dhe Viktoria Invest me nënkontraktorin ARTCON, ishte dhe Aneksi 1 i kontratës, që parashikonte të gjithë zërat e punimeve shoqëruar me preventivin final në lekë.

Dhënia me nënkotraktim e punimeve të Eko Parkut nga dy kompanitë që fituan kontratën fillestare, ngriti dyshimet e para për një aferë të re me mbetjet në Durrës. Dyshimet lindën për faktin se kompania ARTCON, është në pronësi të Denist Ymerit. Ky shtetas, rezulton gjithashtu se është i punësuar pranë kompanisë Integrated Energy Bv SPV, të inceneratorit të Sharrës, ky fakt, është pranuar tashmë publikisht, por njëkohësisht, emisioni PLUG disponon kontratën e punës të Denis Ymerit me kompaninë e icneneratorit të Sharrës. Denist Ymeri, rezulton se ka nisur punë pranë kompanisë së inceneratorit si shofer me page 100.396 lekeI kësaj kompanie në datën 15 mars 2020, apo dy muaj përpara se kompania e tij të bëhej nënkontraktore e join ventures mes De Mare srl dhe viktoria invest.

Nga të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit, rezulton se kompania ARTCON, është rregjistruar fillimisht në datën 5 shkurt të vitit 2014 në Tiranë. Emir fillestar i kompanis ka qenë “ARTEMIS FARM”, ndërsa themeluese e kësja kompanie ishte shtetasja Ilza Zoto, bashkëshortja e Klodian Zotos, tashmë i njohur si një nga bosët e inceneratorëve. Më 23 nëntor të vitit 2016, pra kohë kur Klodian Zoto kishte nisur të merrte kontratat e majme të inceneratorëve, bashkëshortja e tij, Ilza Zoto ia shet 100 përqind të kuotave të kompanisë “ARTEMIS FARM”, shtetasit Denist Ymeri, i cili paguan për blerjen e kësaj kompanie vlerën e 100 mijë lekëve.

Në datën 4 maj të vitit 2020, pra vetëm pak ditë para se të nënkotraktohej për punimet e EKO-PARKUT në Durrës, Denist Ymeri ndryshon emrin e “ARTEMIS FARM”, duke e bërë “ARTCON”. Po në të njëjtën datë, kompania ndryshoi dhe objektin e veprimtarisë së saj, nga një kompani që merrej me thertoret përshtati veprimtarinë në fushën e ndërtimeve civile, duke përfshirë ndërtime hidraulike, ujësjellësa, kanalizime, impiante të ndryshme, rikonstruksion rrugësh, urash, objekte të rëndësisë së veçantë etj.

Emisioni “Plug” disponon kontratat dhe faturat për punën që ka kryer kompania “Artcon” e Denist Ymerit për mbylljen e Eko-Parkut. Por le të ndalemi përsëri te firma “Artcon” dhe lidhja e saj me Klodian Zoton. Deri më tani, rezulton e faktuar, se Denist Ymeri bleu për vetëm 100 mijë lekë kompaninë e bashkëshortes së Klodian Zotos, “Artemis Farm”, kompani e cila është përmendur disa herë në dosjet e inceneratorëve.

Kjo kompani, pra “Artcon”, zbatoi një projekt, i cili u kërkua nga kopania tjetër Integrated Energy Bv SPV e regjistruar në emër të Klodian Zotos, dhe që kishte marrë në atë kohë koncensionin e inceneratorit të Sharrës. Projekti u hartua nga nënkotraktori Casanova Hernandes Architects, e cila u pagua 225 mijë euro për Eko-Parkun.

Por, çuditërisht, ndonëse kontrata parashikonte të drejtën e autorit të projektit, pra nuk mund të zbatohej nga asnjë kompani tjetër përveç asaj që e kishte kontraktuar dhe hartuar këtë projekt, siç parashikohej në kontratën mes Integrated Energy BV SPV dhe Casanova Hernandes Architects, projekti në fakt u fitua nga bashkimi i De Mare Albania dhe Viktoria Invest.

Këto dy kompani, pasi morën pa garë 19 milionë euro, nënkotraktuan kompanin e regjistruar në emër të shoferit të Klodian Zotos, për të zbatuar punimet në terren. Për këtë punë “Artcon”, u pagua rreth 6 milionë euro, ndërsa 13 milionë euro të tjera, u shpërndanë mes De Mare Albania dhe Viktoria Invest, të cilat në kontratën e Join Venture kishin aksione të barabarta.

Jo vetëm zhdukja e 13 milionë eurove, por edhe zëri real i punimeve duket se ka qenë i fryrë. Për këtë, emisioni PLUG po sjellë dy detaje, që tregojnë preventivin e çmimeve për punimet të kontraktuara mes De Mare Albania, Viktoria Invest dhe Artcon, si dhe koston relae se sa kanë kushtuar punimet e kryera në Eko Park.

Konkretisht, Muri i Alpinizimit, sipas kontratës me nënkontraktori, është parashikuar në vlerën e rreth 220 milionë lekëve, apo rreth 2 milionë dollaresh.

Por, sipas një kontrate, të lidhur mes kompanisë “Artcon” dhe një kompanie të huaj për blerjen e murit të Alpinizmit, vlera përcaktohet 735 mijë dollaresh, apo gati tre herë më pak se preventivi në kontratën që Artcon lidhi me De Mare Albania dhe Viktoria Invest për Eko Parkun.

Gjithashtu, fushat sportive të Eko Parkut, në preventivin fillestar mes kompanive që fituan tenderin dhe nënkontraktorit Artcon llogariten me kosto rreth 1 milionë euro. Por nga kontrata që Artcon ka bërë me kompaninë që ka ndërtuar terrenet sportive, kostoja totale e punimeve rezulton se është 268 644 dollarë me TVSH, pra rreth katër herë më pak se vlera e paraqitur në preventive.

Pra, skema është e tillë, paratë janë qarkulluar në një rreth vicioz, ku deri më tani, dihet vetëm shpenzimi i 6 milionë eurove, ndërsa më shumë se dy të tretat e kësaj shume, nuk dihet se ku përfunduan.

Lidhja Casanova Hernandez

Kjo skemë e dyshimtë korruptive është denoncuar disa herë nga lideri i opozitës Sali Berisha. Në konferencën e 17 nëntorit të vitit 2023, lideri i opozitës, ngriti akuza të drejtpërdrjejta, se pas Eko-Parkut qëndrojnë familjarë të kryeministrit Edi Rama, akuza këto të cilat u përforcuan dhe nga deklarat e Arben Ahmetajat në emisionin Çim Peka Live.

Por cila është lidhja e kësaj afere me njerëzit e afërt të Kryeministrit Edi Rama? Nyja është kompania Casanova Hernandes Architects, e cila bëri projektin e Eko-Parkut. Kjo kompani, është regjistruar për herë të parë në Hollandë në datën 1 tetor të vitit 2001. Në Shqipëri, Casanova Hernandes do të nisë aktivitetin e saj në vitin 2018, vit ky që përkon me nisjen e aferës së inceneratorëve.

Sipas të dhënave të open-data, Casanova Hernandes hapi degën e saj në Shqipëri në datën 16 shtator të vitit 2018. Tetë muaj më vonë, kjo kompani nënshkroi kontratën me Integrated Energy BV SPV për projektin e Eko Parkut, ndërsa në një kohë të shkurtër, Casanova Hernandes Architects, do të bëhet pjesë e shumë projekteve miliona eurosh të qeverisë shqiptare, duke marrë tendera nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit apo Agjencia e Zhvillimit të Territorit.

Në faqen zyrtare të internetit të Casanova Hernandes Architest, gjen lehtësisht disa prej projekteve ku kjo kompani ka marrë pjesë në fushën e arkitekturës, ku përfshihen.

1- Muzeu Marubi ( Shkoder)

2- Albanian Carpet ( shkoder)

3-System of Museums ( Gjirokaster)

4-Shtepia e Muze e Ismail Kadares ( Gjirokaster)

5-Muzeu Etnografik Gjirokaster

6-Rikualifikimi i bregurt perendimor Shkoder ( Shirokë)

7-Qendra kulturore e bregdetit në Durrës

8-Masterplan i zonës 3 Durrës

9-Masterplan i zonës 2 Durrës

Në këto projekte, kompania Casanova Hernandes Architects, ka qenë pejsëmarrëse së bashku me disa kompani shqiptare, përfshirë SON Engineering & Construction, e cila rezulton se është në pronësi të Erind Bejlerit. Ky i fundit është shfaqur shpesh në foto publike me njerëz apo zyrtarë të afërt të Kryeministrit Edi Rama, përfshirë Endri Fugën, drejtorin e komunikimit të Kryeminsitrit Edi Rama dhe Ditjon Baboçin, drejtorin e Përgjithshëm të planifikimit dhe zhvillimit të territorit në bashkinë e Tiranës drejtuar nga Erion Veliaj. Kompania e Erind Bejlerit është bashkëpunëtore e ngushtë e Casanova Hernandes….

Pikëpyetja e madhe që ngrihet në këtë rast, është se ku kanë shkuar 19 milionë euro me tvsh për Eko Parkun, në një kohë, që gjithë punimet kushtuan jo më shumë se 6 milionë euro. Nga të dhënat e thesarit, rezulton se kompania De Mare Albania, ka marrë deri më sot shumën e 1,504,500,781 lekëve, apo rreth 15 milionë euro pa tvsh për këtë projekt.

Këto para, janë të vetmet që kjo kompani ka marrë direkt nga buxheti i shtetit për një projekt publik, i cili kushtoi vetëm 6 milionë euro, teksa u zbatua nga kompania e vartësit të Klodian Zotos.

Pikëpyetja që ngrihet, jo vetëm pas akuzave të opozitës, por tashmë edhe nga ish-krahu i djathtë i Kryeministrit, është: Ku shkuan paratë? Janë plotë 13 milionë euro më shumë se kosto e punimeve për eko parkun, që do të duhet, tashmë t`i gjejë SPAK.

Ndërkohë, ky projekt duket se nuk është marrë ende zyrtarisht në administrim nga bashkia e Durrësit. Emisioni PLUG nisi një kërkesë për informacion ndaj bashkisë së Durrësit, por deri në transmetimin e këtij emisioni, kjo bashki nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

Nga Juljan Hoxha, emisioni Plug

Syri.net