Këto ditë të fundit të shtatorit do të kalojnë me ankth për shumë nga demokratët e Durrësit. Ditën e sotme, selia qendrore publikoi datat e zhvillimit të procesit të votimit nga anëtarësia në të gjithë vendin për nxjerrjen e emrave të mundshëm për kandidatë për deputetë të forcës më të madhe opozitare.
Më 3 tetor do të ftohet të votojë anëtarësia në qarkun e Durrësit, ndërkohë që me gjasë emrat do të mbahen sekretë deri rreth 24 orë para votimit. Nga më shumë se 300 emra që u propozuan gjjatë mbledhjeve të grupseksioneve, komisioni i përzgjedhjes së kandidatëve pritet të sjellë në bazë për votim 25-30 emra. Këta emra supozohet të kenë kaluar nëpër filtra të rreptë kontrolli, pasi për herë të parë në historinë e saj, PD aplikoi këtë mënyrë seleksionimi për të garantuar kandidatura të përzgjedhura me kujdes dhe të pakontestueshme.
Madje, edhe mënyra e votimit të kandidatëve do të jetë e ndryshme, pasi nuk do të votohet kandidati më i preferuar nga anëtari i PD-së, por do të votohen 1-5 emra që nuk i pëlqejnë votuesit. Por në të njëjtën kohë, nëse anëtari i PD-së është dakort me listën që paraqitet për votim ai mund ta kalojë atë në bllok, pa seleksionuar asnjë kandidat të papëlqyer.
DurrësLajm po publikon më poshtë dy mënyrat e votimit të anëtarësisë, nga ku pritet të dalin emrat mbi të cilët kryesia e PD-së do të punojë për listën përfundimtare të kandidatëve të saj për deputetë në qytetin bregdetar.
Mënyra e re e votimit është përzgjedhur për të evituar pikërisht lobimet brenda partisë për kandidatë të veçantë që mund të kenë mbështetje të gjerë në anëtarësi. Por ende nuk dihet nëse lista që do të sjellë selia qendrore në Durrës për votim do t’i kënaqë të gjithë pretendentët. Aq më pak dihet nëse lista përfundimtare që do të hartojë selia qendrore do të gëzojë elektoratin e djathtë apo dhe atë gri. Lista e kandidatëve për deputetë në vitin 2017 në qarkun e Durrësit la të pakënaqur shumë durrsakë. Pavarësisht akuzave për blerje votash që u ngritën në dosjen nr.339, fakt është që PD-ja në Durrës arriti një humbje historike (vetëm 4 mandate), ndërsa PS siguroi 8 mandate deputetësh dhe LSI 2 mandate.
M.B.





