Nga e premtja deri të martën, në Durrës janë regjistruar 3 konflikte për motive të dobëta që tronditën opinionin publik.
Bilanci tragjik i tyre është një 39-vjeçar dhe një 33-vjeçar të vdekur dhe 3 të rinj, një prej të cilëve adoleshent, të plagosur.
E ndërsa familjarët vajtojnë të dashurit e tyre të ndarë papritur nga jeta, opinioni publik është i shokuar për absurditetin e këtyre krimeve, ku një person humb jetën prej një shikimi apo një fjale të thënë në gjaknxehtësi e sipër.
Nga ana tjetër, mjaft shqetësuese është edhe fakti sesi të rinj qarkullojnë serbes me armë zjarri, thika apo mjete të forta, sidomos nën hundën e policisë, e cila ditët e fundit ka qenë e angazhuar në kontrolle të vazhdueshme në pikat hyrëse dhe dalëse të qytetit.
Sherri i regjistruar pasditen e sotme mes adoleshentëve në Sukth tregoi se edhe djelmoshat shkojnë t’i zgjidhin muhabetet e lëna pezull me thika dhe sëpata. Nuk dihet nëse ato u “frymëzuan” nga sherret e ditëve të fundit, ku përplasja për “Pse më pe shtrembër?” apo konflikti për një automjet të parkuar keq shkaktuan vdekjen e Armando Baboçit dhe Idajet Dullës.
Ajo që i bën edhe më tragjike konfliktet e ditëve të fundit në Durrës është se protagonistët janë të gjithë të rinj. Për gjithë jetën mund të mbajnë mbi shpinë peshën e jetëve të humbura për një “llaf goje”, por nga ana tjetër vrasjet dhe plagosjet e ditëve të fundit mund të shërbejnë edhe si epilog i serive të mëtejshme të përplasjeve mes familjeve.
Që nga viti 1997, policia ka ndërmarrë disa fushata kombëtare për mbledhjen e armëve të zjarrit, ka forcuar Kodin Penal për ata që kapen me armë pa leje, si reagim për të parandaluar përplasjet e dhunshme që mund të marrin jetë. Por si për ironi të fatit, ditën e sotme, gjykata la në “arrest shtëpie” këngëtaren nga Kosova, Fjolla Morina, e cila u ndalua në doganën e Morinës me dy pistoleta në çantë. Madje gjykata nuk mori parasysh as faktin se këngëtarja prezantoi një eko të rreme që gjoja vërtetonte shtatzëninë e saj. Do të jenë hetimet që pritet të nxjerrin në dritë nëse pistoletat e Fjollës po kontrabandoshin në vendin tonë për t’u shitur apo përdorur në ndonjë krim. Por nuk përjashtohet mundësia që ngjarja të mbyllet me kalimin e kohës dhe Fjollës të vazhdojë t’i shkojë jeta fjollë.
Nuk janë të pakta rastet kur personazhe të njohur të muzikës apo VIP-a që numërojnë me mijëra apo qindra mijëra fansa pozojnë me armë zjarri apo i përdorin ato në videoklipe. Pak muaj më parë, drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu desh “kryqëzoi” një nënë, të cilës efektivët e policisë i dhunuan djalin adoleshent në mes të rrugës. “Mëkati” i nënës ishte se kishte pozuar me një pistoletë false gjatë xhirimeve të një filmi. Ndërsa artistët mund të qarkullojnë edhe me pistoletë, mund të tallen edhe me autoritetet për shtatzëni të supozuara dhe prapë t’ia hedhin paq.
Fundja përveç hallexhinjve që harrohen qelive për akuza ordinere, të tjerët zakonisht ia hedhin duke bërë ping pongun e zakonshëm me prokurorinë dhe gjykatat. Ndërsa shtetarët vazhdojnë mbajnë fort karriken pavarësisht tronditjes psikologjike që shkaktojnë në popullatë vrasjet e kohëve të fundit. Përsa kohë jemi me statistika më mirë sesa në kohën e Saliut, rendi dhe siguria janë nën kontroll!!!
M.B.