Në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës, palestinezët falën namazin e parë të teravisë me rastin e Muajit të Ramazanit pranë rrënojave të Xhamisë Faruk, e cila është shkatërruar nga bombardimet izraelite.

Mijëra policë janë vendosur nëpër rrugët e ngushta të qytetit të vjetër në Jeruzalem, ku dhjetëra mijëra besimtarë pritet të shkojnë për lutje çdo ditë në xhaminë Al Aksa, një nga objektet më të shenjta të fesë islame.

Zona, e konsideruar si vendi më i shenjtë nga hebrenjtë që e njohin atë si Mali i Tempullit, ka qenë një vend ku patur përplasje mes palestinezëve dhe izraelitëve.

Muaji i agjërimit mund të ashpërsojë tensionet edhe në këtë qytet.

Ndryshe nga vitet e kaluara rrugicat e ngushta të qytetit nuk janë zbukuruar me dritat e festës.

“Nuk e ndiejmë që jemi në prag të Ramazanit”, thotë Um Ammar duke kaluar në rrugën e qytetit historik Al-Wad. Lufta në Rripin e Gazës po preokupon shumicën e njerëzve. Atmosfera është e zymtë. Kësaj i shtohet edhe pasiguria, se si mund të kalojë muaji i shenjtë i agjërimit dhe lutjeve.