Shpërthime të njëpasnjëshme janë ndjerë në të gjithë Durrësin vetëm pak minuta më parë.
Shpërthimet e forta vijnë nga pallati 13 katësh i Kastratit, tek i cili IKMT po kryen shpërthim të kontrolluar për të shembur muret e brendshme.
Shpërthimet janë shoqëruar me një re të madhe pluhuri të ngritur nga godina shumëkatëshe.
“Ditën e dielë do të kryhet një shpërthim për dobësimin e konstruksionit të brendshëm që të krijohet mundësia për rënie sa më të lehtë të objektit”, u shpreh të premten Ardian Halili, drejtues i IMT Durrës.
“Ky objekt është tepër i vështirë për t’u ekzekutuar. Është një objekt 13 katësh, i cili përbëhet nga një kat bodrum dhe 12 kate ndërtim. Veçantia e këtij objekti është se duke filluar nga themelet e deri në kat të 12-të përbëhet prej 14 muresh beton e dy zgara hekuri. Kjo përbën dhe vështirësinë kryesore të shembjes së objektit.”, tha drejtori i zbatimit të vendimeve në IKMT, Fatmir Meta ndërsa bëri me dije më tej se gjithsej do të jenë 12 shpërthime të ndara nga njëra-tjetra deri në shembjen e godinës së dëmtuar nga tërmeti.





