Kryeprokurori Altin Dumani, gjatë një takimi të zhvilluar në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, dha një koment lidhur me Komisionin Parlamentar, që përmendet se do të monitorojë edhe SPAK-un.

Dumani tha nuk ka parë asnjë dokument, por theksoi se Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion është institucioni më i kontrolluar në vend.

“Pavarësisht se çfarë flitet dhe thuhet, ne realisht nuk kemi ende një dokument që të lexojmë dhe të shikojmë se cila do të jetë qasja lidhur me Reformën në Drejtësi. Përsa kohë nuk ka një dokument, nuk kam një qëndrim. Nëse do të ndodhë, patjetër do të kemi reagim institucional. Për mendimin tim, është e paimagjinueshme të bësh ndryshime në Reformën në Drejtësi kur reforma vazhdon ende.

Vetting-u s’ka mbaruar ende. KLGJ, KLP janë ende të pakonsoliduar. SPAK ka nevojë dhe për dy prokurorë. Para se të shkosh atje, duhet bërë një analizë. Por, kjo është në kuadrin e thashethemeve, sepse s’kam parë ende dokument. Ndaj s’kam qëndrim.

SPAK është institucioni më i kontrolluar në Republike, më i kontrolluari. Në aspektin procedurial, kontrollohemi nga tre shkallë, mos harrojmë gjyqtarin paraprak, çdo gjë bëhet me vendim gjykate. Ne raportojmë në Komisionin e Ligjeve, atje ka diskutime e debate. Kjo është marrëdhënia me Parlamentin. KLP raporton atje. ILDKPI kontroll pasuritë”, tha Dumani.