Media italiane L’Espresso ka botuar sot një artikull për kryeministren italiane Georgia Meloni dhe e kanë thumbuar atë në raport me marrëveshjen e emigrantëve, që ka lidhur me Shqipërinë.
Në këtë media theksohet se qendrat e emigrantëve në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri janë të nevojshme për fushatën zgjedhore europiane të Melonit. Kjo media ka ironizuar kryeministren italiane, duke e quajtur atë “Mbretëresha e Shqipërisë”. Në artikull thuhet se ky titull është vendosur ndaj Melonit, për shkak të marrëveshjes së saj me kryeministrin shqiptar Edi Rama për qendrat e emigrantëve që pritet të hapen në Shëngjin dhe në Gjadër.
Shkrimi i medias italiane:
Qendrat e emigrantëve në Ballkan janë të nevojshme për fushatën zgjedhore evropiane të Melonit. Pra, qeveria dëshiron të ecë përpara pavarësisht shpenzimeve: kostoja do të arrijë në një miliard, me procedura të veçanta. Të gjitha janë para të marra nga shëndetësia, arsimi, kultura dhe transporti. “Në muajt e fundit, Kryeministrja ka folur vazhdimisht për “mbrojtjen e kufirit” për të ngadalësuar “pushtimin” e emigrantëve që vijnë nga brigjet e Afrikës së Veriut.
Numrat, megjithatë, tregojnë një histori shumë të ndryshme. Asnjë pushtim, asnjë sulm ndaj Italisë”, shpjegon Bianca Senatore. Ndërsa Bruno Manfellotto analizon paqartësinë politike të Melonit, mes ledhatimeve dhe përqafimeve me të mëdhenjtë e Tokës. Dhe regjisori Enrico Bellavia, në editorial, kujton sesi konsensusi është shteruar nga frika e shkaktuar: «Ne gjithmonë fillojmë duke ngritur një alarm, pavarësisht nëse është i vërtetë apo i supozuar – dhe “pushtimi” i emigrantëve i bindet kategorisë së dytë – për të përfunduar me një zgjidhje muskulare si dekreti Cutro. Nëpërmjet një vetë-konsumimi bulimik të burimeve, të diktuar nga një axhendë indiferente ndaj urgjencave të vendit”.
“Lulëzimi i Forza Italia, përtej çdo parashikimi të arsyeshëm pas vdekjes së themeluesit dhe liderit absolut të saj, duhet të llogaritet ndër fenomenet paranormale të këtij viti 2024. Me siguri, që ne duhet ta quajmë Melonin një Mbretëreshë të Shqipërisë, në lidhje me marrëveshjen e saj të arritur me vendin fqinj”.
Kujtojmë se marrëveshja e firmosur në Romë mes kryeministres italiane Georgia Meloni dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama përfshin emigrantët që nisen nga Afrika e Veriut dhe kapen në det nga anijet italiane. Marrëveshja parashikon ngritjen e një pike në Shëngjin, ku do të kryhen procedurat e verifikimit të emigrantëve dhe i një qendre në Gjadër, ku refugjatët do të mbahen të izoluar, deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit. Qeveria italiane e miratoi marrëveshjen dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë gjithashtu dha “ok” për të.