Udhëheqësit e Bashkimit Evropian gjatë samitit të së enjtes dhe së premtes në Bruksel do të vendosin për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje dhe Hercegovinën dhe do të bëjnë ftesë që të përgatitet korniza negociuese e bllokut për këto negociata.
Vende anëtare veçse janë pajtuar që kjo të përfshihet në draftin e konkluzave të përgatitura për miratim në këtë samit, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë.
“Bazuar në rekomandimin e Komisionit Evropian nga 12 marsi i vitit 2024, Këshilli Evropian vendos të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën. Këshilli Evropian fton që të miratohet korniza negociuese kur të ndërmerren hapat relevantë të caktuar, në rekomandimet e Komisionit nga 12 tetori i vitit 2022”, thuhet në draftin e këtyre konkluzave.
Më herët, shtatë shtete anëtare të BE-së, përmes një letre, kërkuan që në samitin e 21 dhe 22 marsit të miratohej vendimi për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën. Ky grup shtetesh po ashtu ka tërhequr vërejtjen se dështimi për të miratuar një vendim të tillë do të dëmtonte besueshmërinë e bllokut evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në letrën e dërguar bashkërisht nga shtatë shtetet anëtare që kërkojnë nisjen e negociatave me Sarajevën.
Letra është nënshkruar nga ministrat për Çështje Evropiane nga Austria, Kroacia, Greqia, Italia, Çekia, Sllovakia dhe Sllovenia.Përmes kësaj letre, këto shtete kanë argumentuar se Bosnje e Hercegovina në muajt e fundit ka bërë më shumë përparim në reforma sesa në disa vjet dhe se procesi i reformave po vazhdon me një ritëm të shpejtë.
“Duke pasur parasysh këtë, mendojmë se është e domosdoshme të shfrytëzojmë këtë mundësi dhe të vendosim për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën”, u tha në letër.
“Një vendim i tillë do ta forcojë rrugën e Bosnje e Hercegovinës drejt BE-së dhe ta sjellë një hap më afër në integrimin në bllok. Nëse dështojmë të bëjmë këtë, atëherë kjo do të dobësonte rolin e BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe do të dërgonte një sinjal negativ për gjithë rajonin, të cilit i kemi premtuar para 20 vjetësh se e ardhmja e tyre është në BE”, u tha në fund të kësaj letre.
Vendimi për këtë pritet të miratohet në samitin e udhëheqësve të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel të enjten dhe të premten më 21 dhe 22 mars.
Bosnja e Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Në samitin e dhjetorit të vitit 2023, BE-ja kishte shprehur gatishmërinë për të nisur negociatat e anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën, me disa kushte. Ndërsa me 12 mars të këtij viti, Komisioni Evropian dha rekomandimin që të merret vendimi për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën./BE