Teksa lexon këtë artikull ti mund të kesh kryer me dhjetëra frymëmarrje. Disa kafshë të tjera nuk kanë nevojë që të marrin frymë kaq shpesh, dhe po ashtu, nuk kanë nevojë për të njejtën sasi oksigjeni.

Breshka e detit Caretta caretta për shembull, mund të marrë një herë frymë dhe që të qëndrojë në ujë për rreth 10 orë. E megjithatë, jo të gjitha kafshët kanë nevojë që të thithin oksigjen që të qëndrojnë gjallë.

Shkencëtarët kanë zbuluar Henneguya salminicola, një parazit vetëm 8 mm të gjatë, që nuk ka nevojë për oksigjen për të jetuar dhe nuk e proceson dot atë, siç bëjnë krijesat e tjera.

Zbulimet rreth këtij paraziti janë publikuar në revistën PNAS.

Të gjitha krijesat e tjera kanë mitokondri, organele që veprojnë si “fabrika energjish” për qelizat duke zbërthyer lëndët ushqyese dhe duke i kthyer në energji. Që mitokondria ta kryejë funksionin e saj, duhet që ta ktheje oksigjenin në një lloj “karburanti” që quhet adenozinë trifosfat (ATP), i cili mundëson procese si tkurrja e muskujve, përhapja e impulseve nervore dhe sinteza kimike. Ky proces konvertimi quhet frymëmarrje aerobike.

Por, H. Salminicola nuk ka mitokondri, dhe rrjedhimisht nuk mund të kryejë frymëmarrje aerobike.

Studiuesit nuk janë plotësisht të sigurt se si H. salminicola i zbërthen lëndët ushqyese pa oksigjen. Një opsion është që ky parazit t’i marrë molekulat që i duhen nga bujtësi i saj. Sidoqoftë, është e vështirë të thuhet, pasi studiuesit mundën të analizonin parazitët pasi ata nuk jetonin më.

Megjithatë, ky zbulim nxjerr në pah se sa shumë shkencëtarëve u mbetet të mësojnë ende për diversitetin e jetës në Tokë. Një nga autorët e studimit i tha CNN se pret që H. salminicola të mos jetë e vetmja krijesë që mund të mbijetojë pa oksigjen, apo edhe në “mënyra më të çuditshme të ekzistencës”.