Për fundjavën që presim përpara vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të paqëndrueshme si rezultat i masave ajrore të lagështa me origjinë veriperëndimore.
Moti për ditën e shtunë parashikohet me kthjellime e alternime vranësirash kalimtare hera-herës deri të dendura të cilat kryesisht në relievet malore do të shoqërohen me reshje shiu të dobëta dhe afatshkurtra.
Për ditën e diel mot kryesisht i vranët e intervale afatshkurtra me diell. Në zonën e veriperëndimit reshje shiu për pjesën më të madhe të ditës dhe të herëpashershme me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave.
Në pjesën tjetër të vendit këto reshje do të bëhen prezente kryesisht në orët e mbrëmjes. Në orët e mbrëmjes në veriperëndim reshjet lokalisht me intensitet deri të lartë në formën e rrebesheve shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër.
Në relievet malore në veri dhe verilindje në lartësitë mbi 800 metër reshje dëbore me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar.