Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka ndaluar punonjësin e policisë Inspektor Ervis Shkurta, 38 vjeç, efektiv në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprën penale “Prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.
Ndalimi i këtij punonjësi policie u krye në vijim të hetimeve me metoda speciale, në funksion të ngjarjes së datës 21.03.2024, ku u arrestuan në flagrancë tre shtetas, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Mosbindja ndaj punonjësve të policisë”.
Si rezultat i hetimeve intensive u bë e mundur sigurimi i provave dhe i fakteve mbi dyshimet se punonjësi i policisë, Inspektor E. SH., me lidhje të ngushtë shoqërore me njërin prej personave të arrestuar, ka qenë pjesë aktive e sigurimit të kushteve për tregtimin e lëndës narkotike prej 1 Kg e dyshuar kokainë, si dhe ka patur dijeni të plotë për personat dhe vendin ku do ndodhte shkëmbimi i lëndës narkotike.
Pas ndalimit të tij, ka reaguar edhe ministri Taulant Balla.
“Vijon procesi i vetëpastrimit në Policinë e Shtetit. Falë punës së Agjensisë së Mbikqyrjes Policore është vendosur përpara përgjegjësisë penale një punonjës i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprën penale “prodhimi dhe shitja e lëndëve” në bashkëpunim me elementë kriminalë.
Policimi është një profesion fisnik që kërkon integritet, guxim dhe ndjenjë të thellë të detyrës. Prandaj do bëj gjithçka për ta çuar përpara procesin e vetëpastrimit të policisë, për të pasur si në drejtim edhe në rolin bazë, jo vetëm më profesionistët, por edhe ata më me integritet.
E vërteta është që përballë sfidave gjithnjë në zhvillim, roli i zbatuesve të ligjit bëhet gjithnjë e më kompleks. Nga lufta kundër narkotikëve, armë-mbajtjes pa leje, krimeve kibernetike dhe patjetër kundër krimit të organizuar forca jonë policore duhet të përshtatet dhe të jetë e aftë dhe inovatore për ta mbrojtur e po aq, për t’i shërbyer publikut.
Reformimi dhe vetë-pastrimi i brendshëm, investimet në teknologji e infrastrukturë, angazhimi i Qeverisë për të mbështetur rritjen e pagave në mënyrë të ndjeshme këtë vit, janë hapa të rëndësishëm në synimin tonë për të patur një shërbim policor të duhur, për Shqipërinë kampion e Ballkanit edhe në fushën e sigurisë publike.
Forcimi i rolit të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, rritja e besimit dhe bashkëpunimi me qytetarët është busulla jonë orientuese për një Shqipëri më të sigurtë dhe të qetë falë punës dhe përkushtimit të punonjësve të ndershëm dhe profesionistë të Policisë së Shtetit”, shkruan Balla.