Senati amerikan e mbylli në mënyrën më të mirë të mundshme dramën e përsëritur të pragmbylljes së qeverisë amerikane, duke e shmangur atë falë dritës jeshile të dhënë një pakete shpenzimesh në vlerën e 1.2 trilion dollarëve .

Dokumenti i miratuar në orët e para të ditës së sotme tani shkon për firmë në tryezën e presidentit Joe Biden. Kongresi e kishte aprovuar javë më parë një paketë që garanton fonde për veteranët, agjencitë për punë të jashtme, të brendshme dhe ato të bujqësisë, ndërsa pajtueshmëria e arritur të shtunën garanton fonde për departamentet e mbrojtjes, sigurisë kombëtare dhe agjenci tjera qeveritare. Ligjvënësve amerikanë u janë dashur gjashtë muaj pas hyrjes në vitin e ri fiskal për të përmbylluar pothuajse të gjithë buxhetin për shpenzime. Kombinimi i dy paketave financiare për shpenzime lë të kuptohet se buxheti amerikan për këtë vit do të jetë rreth 1.66 trilion dollarë.

Aty nuk përfshihen fonde për zvogëlimin e borxhit shtetëror. Dhe ndërkohë, në asnjërën prej paketave nuk është përfshirë ndihma ushtarake në vlerë të 60 miliardë dollarëve për Ukrainën, e cila ka nisur të ndiejë mungesën e madhe të municioneve, teksa lufton pushtimin rus, të nisur në shkurt të vitit 2022. Republikanët konservatorë janë duke e bllokuar ndihmën, me arsyetimin se më parë duhen zbatuar politika më të ashpra për emigrantët në kufijtë e SHBA-së.