Disa persona ende të paidentifikuar, kanë vjedhur transformatorin e rrjetit elektrik të stacionit të ujësjellësit në Bërdicë të bashkisë Shkodër.

Sipas informacioneve si pasojë e kësaj vjedhjeje, afro katër mijë banorë të katër fshatrave të Bërdicës kanë mbetur pa ujë.

Forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet. Inxhinieri i shoqërisë rajonale të ujësjellës kanalizime në Shkodër Lazër Pema thotë se dëmi i shkaktuar është i konsiderueshëm por shumë shpejt do merren masa për rikthimin e ujit të pijshëm në katër fshatrat e Bërdicës.

Inxhinieri Pema ka bërë një apel për gjithë banorët e kësaj zone por edhe për gjithë të tjerët që të mos dëmtojnë stacionet e ujësjellësve duke qenë se ky është një rast i përsëritur.

Brenda tre viteve të fundit ky transformator elektrik në stacionin e ujësjellësit të Bërdicës është vjedhur tri herë.

Shoqëria Rajonale e Ujësjellës Kanalizime Shkodër është duke bashkëpunuar me policinë e shtetit për të indetifikuar autorët e kësaj ngjarje në stacionin e ujësjellësit në Bërdicë, ndërsa brenda pak ditësh pritet normalizimi i situatës për riparimin e transformatorit të dëmtuar dhe rikthimin e ujit të pijshëm.