Opozita serbe në Beograd akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe partinë e tij (SNS) për manipulime me zgjedhjet në kryeqytetin serb në fund të vitit të kaluar.
Por opozita druhet se Vuçiç do e përsërisë skenarin edhe në zgjedhjet që do të përsëriten në qershor.
Dragan Djilas, kryetari i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë në Beograd, foli për rolin e zyrave të Serbisë në Kosovë në vjedhjen e votave në Beograd.
Ai tha në një intervistë se furgonët e fondit PIO (i sigurimeve shëndetësore) kanë transportuar serbë nga Kosova drejt Beogradit, për të votuar si banorë të kryeqytetit serb.
“Nuk e di sa e dinë shikuesit tuaj, por çdo ditë qarkullojnë furgonët e PIO drejt Mitrovicës së Veriut, të ciët i transportojnë njerëzit (serbët nga Kosova) për të votuar në Beograd.
Prapë si herën e kauar. Pra, vendbanime të reja, sepse tani atje nuk ka më zgjedhje, sepse atje janë mbajtur”, tha opozitari serb.
Ai tha se po mbledhin denoncime nga qytetarët për mashtrime zgjedhore.
“Çdo ditë na marrin në telefon njerëzit që punojnë në ndërmarrje publike, që ankohen se brenda atyre ndërmarrjeve vendosen materiale me propagandë zgjedhore. Tani kjo ka filluar edhe në drejtorinë e Tatimeve, madje edhe në Thesar”, tha ai.
Zgjedhjet e përsëritura në kryeqytetin e Serbisë do të mbahen më 2 qershor.