Autoritetet amerikane që punojnë në shembjen e urës së Baltimores thanë të hënën se planifikojnë të hapin dy kanale të vogla, të përkohshme për t’i lejuar anijet të hyjnë në vendin e incidentit.

Këto kanale fillimisht do të jenë të hapura vetëm për anijet e përfshira në operacionin e pastrimit të urës së Francis Scott Key dhe nuk do të jenë mjaft të mëdha për të lejuar kalimin e anijeve të mallrave dhe kontejnerëve. Kanali i parë është planifikuar të hapet të hënën, tha oficeri i rojes bregdetare të SHBA, Kimberly Reaves, duke shtuar se një kanal i dytë do të hapet në një datë të mëvonshme. Kanalet e përkohshme po krijohen ndërsa puna vazhdon për detyrën e madhe të pastrimit të portit nga struktura e çelikut, e cila u shkatërrua në pak sekonda të martën e kaluar kur një anije jashtë kontrollit e goditi atë, duke vrarë gjashtë persona.

Autoritetet shpresojnë se heqja e urës — duke e prerë në pjesë më të vogla dhe duke i hequr ato — do të ndihmojë shpëtimtarët të rimarrin të gjithë trupat e viktimave si dhe të rihapin korsinë e rëndësishme të transportit.