Policia franceze kontrolloi të mërkurën zyrat e kryebashkiakut Edouard Philippe në qytetin Le Havre, si pjesë e një hetimi paraprak për korrupsion të mundshëm dhe shpërdorime financiare, tha një burim i gjyqësorit. Zoti Philippe ka shërbyer në postin e kryeministrit të Francës gjatë mandatit të parë të Presidentit Macron.
Aktualisht kryetar i bashkisë së qytetit Le Havre, zoti Philippe shihet gjerësisht si kandidati i mundshëm për të pasuar zotin Macron në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.
Zyra e zotit Philippe tha përmes një deklarate se ai dhe ekipi i tij “janë plotësisht në dispozicion të prokurorisë për të siguruar të gjithë elementet e nevojshëm për hetimin”.
Duke folur më herët për kanalin televiziv të lajmeve BFM TV, zoti Philippe tha se ai dhe ekipi i tij planifikojnë t’u tregojnë hetuesve se ata i respektojnë rregullat.
Kontrolli është “pjesë e një hetimi paraprak të hapur në dhjetor të vitit 2023 lidhur akuza për shitje influence, favorizim, shpërdorim fondesh publike dhe ngacmim psikologjik”, tha burimi pa përmendur specifikisht emrin e zotit Philippe.
Por gazeta “Le Monde” shkruante më herët se hetimi synon drejtpërdrejt zotin Philippe, si dhe disa nga ndihmësit e tij.