Presidenti i Ruandës tha se komuniteti ndërkombëtar “dështoi “, pasi u shënua 30 vjet nga gjenocidi i vitit 1994 që vrau rreth 800,000 njerëz.

Presidenti Paul Kagame iu drejtua personaliteteve dhe liderëve botërorë që ishin mbledhur në kryeqytetin e Ruandës, Kigali, për të përkujtuar gjakderdhjen.

“Ruanda u përul plotësisht nga madhësia e humbjes sonë,” tha ai. “Dhe mësimet që kemi marrë janë të gdhendura në gjak.”

Në këtë ditë të vitit 1994, ekstremistët nga grupi etnik Hutu filluan një vrasje masive 100-ditore, në të cilën u masakruan anëtarët e pakicës Tutsi dhe të moderuarit Hutu.

Forcat kryesisht Tutsi që morën pushtetin pas gjenocidit pretendohej se kishin vrarë mijëra njerëz Hutu në Ruandë në shenjë hakmarrjeje.

Të dielën, zoti Kagame dhe një grup personalitetesh vendosën kurora në varrezat masive në Memorialin e Gjenocidit në Kigali – ku besohet se janë varrosur më shumë se 250,000 viktima. Presidenti ndezi gjithashtu një flakë kujtimi.

Në një fjalim më vonë, zoti Kagame falënderoi vendet e tjera afrikane, përfshirë Ugandën, Etiopinë dhe Tanzaninë për ndihmën e tyre në pranimin e refugjatëve Tutsi dhe përfundimin e gjenocidit.