U zhvillua sot në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, ceremonia e dorëzimit të diplomave dhe mbledhja e konstituimit të Akademisë së të Rinjve. E themeluar me një vendim të Kryesisë në vitin 2017, Akademia e të Rinjve të Shqipërisë është një faktor shumë i rëndësishëm hapjeje ndaj studiuesve të rinj dhe ndërlidhjeje mes brezash.
Kryetari i ASHSH, Skënder Gjinushi, në fjalën e tij, e konsideroi Akademinë e të Rinjve si një “fllad i ri” që do të ndihmojë Akademinë e Shkencave në arritjen e objektivave të saj, tashmë në kushte të tjera.
Sot diplomat iu dorëzuan: Aulon Shabani (elektroteknikë), Erald Sino (financë), Joniada Barjaba (sociologji), Jonilda Llupa (kimi), Klaudio Peqini (fizikë), Ledia Vasjari (biologji), Redion Luli (drejtësi) Resul Telaj (gjuhësi) dhe Romina Muka (informatikë).
Akademia e të Rinjve, me punën e saj, është bërë anëtare e Global Young Academies dhe ka vendosur lidhje bashkëpunimi me ALLEA-n. Ringritja e Akademisë së të Rinjve të Shqipërisë është detyrim ndaj Ligjit nr. 53/2019 “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë” dhe ndaj Statutit të saj që të funksionojë sipas kornizës së re juridike.
Gjithashtu ALLEA ka miratuar një “Kartë të re themelore” si rregullatore njësuese e mënyrës së ngritjes dhe funksionimit të akademive të të rinjve, e cila, me disa përshtatje, është miratuar nga Asambleja e ASHSH si statut i saj. Ndërkohë në respekt të kufirit moshor (deri në 40 vjeç), vetëm tre nga anëtarët themelues të Akademisë së të Rinjve mund të vazhdonin më tej anëtarësinë, duke mos pasur juridikisht mundësi për të marrë vendime.