Në prill të 2017-ës, kur nisi për herë të parë puna në inceneratorin e Elbasanit, qeveria mburrej se impianti do të shkulte ‘kancerin’ mjedisor duke prodhuar energji nga plehrat.
Gjashtë vite më pas, Elbasani ndodhet në prag të një katastrofe mjedisore sepse inceneratori nuk punon, pavarësisht se harxhon miliona lekë. Edhe prodhimi i energjisë së gjelbër i ngjan një ëndërre të largët.
Prej muajit dhjetor impianti i përpunimit të mbetjeve në Elbasan ka kaluar në remontin e rradhës. Mbetjet e bashkive të qarkut që po grumbullohen pranë landfillit po lartësojnë malin e plehrave të patrajtuara. Për ekspertët e mjedisit situata është alarmante dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
Në mars të vitit 2015, në anë të ish kombinatit metalurgjik në Elbasan nisi puna për ndërtimin e impiantit të parë të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë në Shqipëri.
Sipas qeverisë inceneratori do t’i jepte zgjidhje mbledhjes dhe grumbullimit të mbetjeve dhe do të prodhonte energji të gjelbër përmes trajtimit teknologjik të tyre.
“Është një impiant që vendoset për herë të parë në vendin tonë, por që me këtë vendosje përbën edhe themelin për të transformuar rrënjësisht të gjitha marrëdhëniet me mjedisin në hapin e tyre të parë, marrëdhënia me mbeturinat, me plehrat që 20 e kusur vite e mbyten Shqipërinë, dolën jashtë çdo kontrolli dhe që ne kemi vendosur t’i kthejmë nga një burim ndotjeje dhe kanceri në një burim energjie”, shprehej kryeministri Edi Rama, në nisje të punimeve për impiantin që parashikohej se do të prodhonte rreth 17 250 MËh energji në vit kur të vihej në punë.
Dy vite më vonë, kryeministri bashkë me disa zyrtarë të tjerë të lartë u rikthye në Elbasan për të përuruar fillimin e punës së impiantit.
Mesditën e 18 prillit 2017, kreu i qeverisë mes qindra pjesëmarrësve inaguroi inceneratorin e Elbasanit – të parën vepër të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë në Shqipëri.
“Nga fusha e plehrave që digjeshin në qiell të hapur e helmonin gjithë qytetin, në fushën sanitare të standardeve europiane ku mbetjet shfrytëzohen për prodhim energjie.”, theksonte kryeministri gjatë ceremonisë përuruese.
Gjashtë vite më vonë…
Inceneratori i Elbasanit i kushtoi buxhetit të shtetit 26 milionë euro dhe është më i vogli mes tre impianteve të planifikuara. Aktualisht, ky impiant është i vetmi që ka përfunduar nga tre kontratat e kushtueshme të partneritetit publik privat të qeverisë shqiptare, që po hetohen për korrupsion dhe pastrim parash nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.
Pavarësisht propagandës për teknologjinë dhe zgjidhjen që do të ofronte në përpunimin e mbetjeve, në këto gjashtë vite impianti nuk ka dhënë rezultatet e premtuara.
Të dhënat e siguruara nga Faktoje tregojnë se inceneratori është ndezur me hope duke zhbërë premimin madhor për rilindjen mjedisore të Elbasanit që ka rritur malin me mbetje të patrajtuara.
“Në vitin 2023 ndezja e Impiantit është realizuar në muajin Prill dhe proçesi i fikjes është realizuar në Dhjetor të vitit 2023. Aktualisht Impianti është në remont.”, i tha Faktoje kompania publike Eco-Elb që administron inceneratorin prej dhjetorit të vitit 2021 (përmes një kontrate qiraje me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, AAPSK.)