Elton Ndoni, blegtor në fshatin Grabian të Divjakës, e zbardhi me qumësht rrugën në rreth-rrotullimin e Savrës në Lushnje të Shqipërisë. Prej datës 1 prill, ai dhe blegtorë të tjerë të kësaj zone nuk e dorëzuan qumështin në fabrikat e përpunimit, për shkak të, siç thonë, çmimit të ulët që paguajnë përpunuesit. Nga fillimi i marsit, grumbulluesit dhe fabrikat i ulën çmimet, me të cilat ua marrin prodhuesve qumështin apo frutat e perimet. Ndoni tregon se fabrikat e kërkojnë qumështin me 5 lekë më pak për litër, dhe kjo, sipas tij, e dëmton blegtorin.
“Dhjetë mijë litra qumësht i futa në autobot dhe i derdha në rrugë, në shenjë proteste, për shkak të çmimit të ulët, me të cilin na e kërkojnë. E bëra që ta shihnin të gjithë, edhe fabrikat, edhe autoritetet, sepse ky është gjaku i fermerit”, thotë Ndoni për Radion Evropa e Lirë.
“Makutëria e industrisë së qumështit e ka shkaktuar këtë situatë. Çmimi caktohet në zyrat e punishteve. Vjen qumësht nga Hungaria dhe neve na kanë çuar në fund”, thotë Ndoni.
“Edhe tregtarëve s’u vë faj se e gjejnë më lirë… sepse atje [në vendet e Bashkimit Evropian] blegtori subvencionohet për litër qumështi, për krerë bagëtish etj., kurse unë këtu deri vjet subvencionohesha për 50 krerë bagëti nga një mijë lekë [10 euro] për një, ndërsa për pjesën tjetër fare. Sivjet ka ndryshuar diçka, sepse për pjesën tjetër, veç 50 krerëve, ka subvencionim me 50%”, thotë blegtori.
Ndoni ishte pjesë edhe e protestës që u mbajt pak ditë më parë nga dhjetëra blegtorë, të cilët udhëtuan me traktorët e tyre nga Kavaja, Vlora, Berati, Fieri, Lushnja etj, dhe u mblodhën te rreth-rrotullimi i Savrës në autostradën Lushnje-Fier. Protestuesit thanë se janë të detyruar ta shesin qumështin me çmim tejet të lirë, pasi fabrikat e përpunimit të bulmetit kanë fiksuar çmimin në 50 lekë [më pak se 50 centë] për litër. Disa përfaqësues fabrikash nuk pranuan të deklarohen.