Me 75 kg në shkëputje dhe 95 kg në shtytje, trajneri i njohur durrsak Besnik Psatha fitoi medaljen e artë në Kampionatin Mesdhetar të Peshëngritjes për veteranë.
Në eventin e zhvilluar për 3 ditë me radhë në Durrës, në të cilin morën pjesë kampionë të këtij sporti të moshave 35 deri 70 vjeç Psatha spikati në kategorinë e 60-65-vjeçarëve. Ky ishte eventi i parë Mesdhetar për veteranët i zhvilluar në vendin tonë, ndërsa Shqipëria arriti të lërë gjurmë, duke rrëmbyer gjashtë medalje.
“Isha përgatitur për këtë pjesëmarrje dhe bëra njê garë të bukur, me 6 prova të realizuara dhe rezultati i arritur ishte shumë i mirë, me të cilin mora dhe medaljen e parë”,– thotë peshëngritësi veteran për “DurrësLajm”.
E veçanta e pjesëmarrjes së Psathës në këtë eveniment sportiv ishte trajnerja e tij. Pas vitesh të tëra si nxënëse e tij, këtë herë Arjeta Rade stërviti trajnerin e saj.
“Unë kam vite që lodhem me sportisten time dhe në këtë garë unë isha sportist dhe sportistja ime ishte trajnerja ime. Më ka bërë një garë shumë të mirë”,– thotë ai.
Stërvitja në moshën 64-vjeçare mund të mos jetë sipërmarrje e lehtë, por Psatha nuk ndalet.
“Eshtë e vështirë në pamje të parë, por nëse di të mbash regjim, të bësh stërvitje trupi ndihet i ri dhe i fuqishëm. Stërvitem 2 herë në ditë, 3 herë në javë bëj stërvitje 2 herë në ditë, ndërsa 3 ditë të tjera stërvitem nga 1 herë në ditë. Eshtë stërvitje e madhe dhe shumë e studiuar sipas moshës dhe të dhënave të mia”.
Synimi i radhës i peshëngritësit veteran është mjaft i qartë: “Në shtator, në Finlandë mbahet Kampionati Botëror i Veteranëve. Aty synoj që të dal kampion bote dhe të regjistroj një rekord në shkëputje. Ndërkohë në qershorin e vitit të ardhshëm zhvillohet në Durrës Kampionati Evropian i Veteranëve. Edhe aty synoj medalje të artë”.
Kampionati Mesdhetar për Veteranët u organizua në mënyrë mjaft të mirë nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes, që tashmë do të presë edhe Kampionatin Evropian për të rritur, Evropianin e Veteranëve, Botërorin U-17 vjeç gjithashtu edhe Botërorin U-20 dhe U-23.
M.B.