Një gjykatë indiane ka dhënë lirimin me kusht për një adoleshent që voziste në gjendje të dehur, i cili përplasi Porsche-n e tij me motoçikleta, duke vrarë dy persona. Kushti është të shkruhet një ese për incidentin.

Gjykata urdhëroi gjithashtu të riun, 17 vjeç t’i nënshtrohej trajtimit të alkoolizmit dhe t’i nënshtrohej këshillimit me policinë lokale për 15 ditë.

Adoleshenti, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, është djali i një manjati të shquar të pasurive të paluajtshme dhe butësia e treguar nga gjyqtari shkaktoi zemërim në vend.

Aksidenti ka ndodhur të dielën rreth orës 3.15 të mëngjesit në Kalyani Nagar, Pune, shkruan Independent. Një grup miqsh po ktheheshin në shtëpi me motoçikleta pasi po festonin në një restorant lokal. Kur arritën në kryqëzimin Kalyani Nagar, një nga motoçikletat e tyre u godit nga një Porsche që drejtohej nga një adoleshent, tha policia.

Dy drejtues motoçikletash kanë humbur jetën në vend. Pasi ka goditur drejtuesit e mjeteve, adoleshenti ka përplasur makinën në një gardh.

Një video që është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale tregon një grup kalimtarësh që sulmojnë shoferin teksa ai tenton të dalë nga automjeti. Të vdekurit janë identifikuar inxhinierë softuerësh Anis Awadia dhe Ashwini Koshta, të dy të moshës 25 vjeç.

Ndaj drejtuesit të mjetit ka nisur procedimi në komisariatin vendor dhe është bërë kallëzim penal për “shkaktim të vdekjes nga pakujdesia ose nga pakujdesia që nuk përbën vepër penale të vrasjes dhe rrezikimit të jetës apo sigurisë personale të personit”.

I akuzuari është nën 18 vjeç, që është kufiri minimal i moshës për të drejtuar një makinë në Indi. Ai dyshohet se po festonte dhënien e provimeve të klasës së 12-të. Ai ka qenë duke vozitur me shpejtësi 200 km/h kur është përplasur me motoçikletën.

Avokati i djalit Prashant Patil tha: “Të akuzuarit të mitur i cili u arrestua nga policia e Punes i është dhënë lirimi me kusht nga Bordi për të Mitur nën kushte të caktuara, duke përfshirë që i akuzuari duhet të punojë me policinë e trafikut Yerawada për 15 ditë, i akuzuari duhet të shkruajë një ese mbi aksidentin, ai duhet të marrë trajtim për ta ndihmuar atë të ndalojë pirjen e alkoolit dhe ai duhet të shkojë në këshillim psikiatrik dhe të paraqesë një raport”.

Policia tha se do të apelojë urdhrin e lirimit me kusht dhe do ta trajtojë të akuzuarin si të rritur. Gjithashtu, arrestoi edhe babain e djalit dhe pronarët e dy lokaleve që dyshohet se i shërbenin alkool. Mosha ligjore e pirjes së alkoolit në Maharashtra është 25 vjeç.