Terroristi i njohur italian, Cesare Battisti, anëtar themelues i grupit radikal italian “Proletarët e armatosur për komunizmin” ka nisur grevën e urisë në burg kundër izolimit.

Lidhur me këtë ai ka vënë në dijeni avokatin e tij Davide Steccanella përmes një letre.

“Pasi kam shteruar të gjitha mjetet e tjera për të pohuar të drejtat e mia, e gjej veten të detyruar të përdor një grevë totale urie dhe refuzimin e terapisë.” 

Terroristi i Proletarëve të armatosur për komunizëm, Cesare Battisti, ndodhet prej më shumë se një viti e gjysmë në izolim në burgun Oristano.

Kjo masë sipas avokatit të tij është plotësisht e paligjshme. Cesare Battisti u arrestua në Bolivi në 2019-n. Ai u dënua në vitin 1993 për katër vrasje politike në vitet ’70.

Gjatë viteve ’60-’80 të shekullit të kaluar, Italia u përfshi nga dhuna e ekstremeve të majta dhe të djathta që çuan në vdekjen e qindra personave.