Një i mitur me origjinë shqiptare është mbytur në det, ditën e sotme në ishullin e Kretës.

Mediat greke raportojnë se djali i moshës 6-7 vjeçare u mbyt teksa po notonte në det në zonën e Arvit.

Ngjarja ka ndodhur kur vogëlushi i quajtur Nikolas ishte me nënën e tij. I mituri kërkoi të futej në det, por nëna nuk e lejoi për shkak të dallgëve.

Por ai i shpëtoi vëmendjes së nënës dhe u largua. Ka qenë një banor i zonës që pa vogëlushin në det që qëndronte përmbys pa ndjenja dhe menjëherë ngriti alarmin.

Nikolas u transportua me urgjencë për në spital, por pavarësisht përpjekjeve, vogëlushi nuk ia ka dalë.