Hamasi e ka mirëpritur propozimin e armëpushimit në Gazë dhe ne tani presim përgjigjen e Izraelit, deklaroi sot ministri i Jashtëm egjiptian, Sameh Shoukry, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Madrid.

Presidenti amerikan Joe Biden prezantoi të premten detaje të një projektmarrëveshjeje paqeje që parashikon tre faza të shmangies së përshkallëzimit, duke filluar me një armëpushim të plotë për gjashtë javë dhe një tërheqje të forcave izraelite nga zonat me popullsi të dendur në Gazë.

Marrëveshja përcakton planet për lirimin e pengjeve dhe të burgosurve, tërheqjen e Izraelit nga territori palestinez dhe rindërtimin e Rripit të Gazës.

“Ne mbështesim me shumë bindje planin për armëpushimin në Gazë të shpallur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Bide”, tha ministri i Jashtëm Antonio Tajani për Sky News 24.

“Pasi është koha për të arritur përfundimisht këtë armëpushim që do të lejojë lirimin e pengjeve dhe do të sjellë ndihmë për popullatën civile palestineze”, shtoi ai.

“Ne e mbështesim këtë ndërmjetësim dhe shpresojmë që Izraeli dhe Hamasi të bien dakord të paktën për këtë përpjekje të parë për të pezulluar luftën”, shtoi Tajani.

“Zhvillova dje në mbrëmje një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken”, njoftoi në X Benny Gantz, anëtar i kabinetit të luftës izraelite.

Blinken e konsideroi kthimin e pengjeve si “prioritet në kronologjinë e luftës”.

“Shteti i Izraelit është i përkushtuar për kthimin e pengjeve dhe e konsideron atë jo vetëm një përgjegjësi morale superiore, por edhe prioritet në kalendarin e luftës. Ne synojmë të bëjmë gjithçka të nevojshme për të ezauruar çdo mundësi për të arritur qëllimin”, tha Gantz.

“I ripërsërita Blinken rëndësinë e presionit amerikan ndaj negociatorëve për të siguruar zbatimin e marrëveshjes së propozuar nga Izraeli”, shtoi Gantz.

Si pjesë e çdo procesi zhvillimi, Gallant theksoi angazhimin e Izraelit për të shkatërruar Hamasin si një autoritet qeveritar dhe ushtarak.

“Në këtë drejtim, ai diskutoi çështjen e identifikimit dhe mundësimit të shfaqjes së një alternative të pushtetit vendor”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga zyra e tij.