Nga kjo e hënë e 10 gushtit, Muzeun Kombëtar Arkeologjik të Durrësit do duhet ta vizitoni me pagesë.
Që nga rihapja e tij më 28 prill, vizitat në muzeun më të rëndësishëm arkeologjik ishin falas, pra pa biletë.
Mëngjesin e sotëm, të shumtë ishin shtetasit e huaj që iu drejtuan muzeut për të parë nga afër artefaktet e antikitetit dhe mesjetës, por para hyrjes u pajisën me biletë nga stafi.
Sipas tarifave që janë publikuar edhe në faqen zyrtare të Qendrës Muzeore Durrës një vizitë në muze do t’u kushtojë të rriturve, vendas apo të huaj, 800 lekë. Për grupet me më shumë se 12 persona, tarifa është përcaktuar në 700 lekë për person.
Çmime më të ulëta janë parashikuar për kategori të veçanta. Pensionistët, invalidët dhe jetimët do të paguajnë 400 lekë, ndërsa studentët dhe fëmijët mbi 12 vjeç 240 lekë. Ndërkohë, kategoritë që përfitojnë hyrje falas do të vijojnë të kenë tarifën 0 lekë.
Përveç faktit se vizita në të do të jetë me pagesë, muzeu do të jetë i hapur çdo ditë.
Orari i vizitave është nga e hëna në të shtunë, 09:00 – 15:00, ndërsa të dielën 09:00 – 14:00.
Ina Ajazi, specialiste pranë Qendrës Muzeore Durrës thotë për “DurrësLajm” se gjatë këtyre muajve që ka qëndruar i hapur, muzeu është vizituar nga një numër i madh vizitorësh ttë organizuar në grup apo individualisht nga vende të ndryshme të Evropës.
M.B.





