2 muaj pasi forcat izraelite u tërhoqën nga spitali al-Shifa i Gazës, palestinezët që kërkuan nën rrënoja thanë se aty vjen “era vdekje”. Bastisja e papritur 2-javore, e nisur pasi Izraeli tha se Hamasi ishte rigrupuar në vend, u përshkrua nga qeveria izraelite si “e saktë”.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avi Hyman, tha se kishin vendosur standardin e artë të luftës urbane teksa shtoi se kishin kapur atje qindra terroristë dhe pretenduan se nuk u shkaktua asnjë viktimë e vetme civile.

E teksa kanë kaluar ditë nga tërheqja e forcave izraelite, pamja që të ofron ajo që ka mbetur nga ky spital është tronditëse: Me trupat e kalbur në oborrin e al-Shifas, pretendimi se nuk ka pasur viktima civile vihet në pikëpyetje.

Ekipet palestineze të kërkimit thonë se kanë gjetur qindra trupa

Javët e fundit, katër varre masive janë zbuluar në vend, ndërkohë që ekipet palestineze të kërkimit kanë deklaruar se janë gjetur qindra trupa të pajetë.

“Ne kemi nxjerrë dëshmorë, shumë prej të cilëve janë të dekompozuar dhe plotësisht të paidentifikueshëm. Kemi gjetur kufoma të grave, fëmijëve si dhe trupa pa kokë”, tha një punonjës palestinez i Mbrojtjes Civile, Rami Dababesh për BBC News.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka shprehur shqetësim të madh për zbulimin e varreve masive në spitalin al-Shifa dhe Nasser në jug të Gazës. Së bashku me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, ajo ka bërë thirrje për një hetim të pavarur mbi krimet e mundshme të luftës.

Gjatë tetë muajve të fundit të luftës, spitalet në Gaza janë sulmuar vazhdimisht, ndërkohë që Izraeli pretendon se ato janë përdorur si baza nga Hamasi, por një gjë e tillë është mohuar nga këta të fundit. Ngjarjet në al-Shifa, dikur objekti mjekësor më i madh dhe më i pajisur në Rripin e Gazës, kanë qenë ndoshta më dramatiket.