Një përplasje ndërmjet një treni udhëtarësh me një tren mallrash në Republikën Çeke, la pas vetes të paktën katër të vdekur dhe 23 të tjerë të plagosur.
Ministri i Brendshëm çek Vít Rakushan, tha se përplasja ndodhi vonë të mërkurën në qytetin Pardubice, rreth 100 kilometra në lindje të Pragës. Treni i shpejtë i udhëtarëve i përkiste kompanisë private, RegioJet.
Ministri Rakushan tha se asnjë nga të plagosurit nuk është në rrezik jete.
Ministri i Transportit Martin Kupka, tha se hekurudha kryesore midis Pragës dhe pjesës lindore të vendit është mbyllur në pritje të përfundimit të hetimeve.
“Ne nuk mundemi dhe nuk do të spekulojmë për shkakun e aksidentit”, tha ministri Kupka.
Ekipet e shpëtimit thanë se më shumë se 300 udhëtarë ishin në trenin e shpejtë që po shkonte për në qytetin Koshice në Sllovakinë lindore.
Korridori në Pardubice, ku ndodhi përplasja, është jetik për Hekurudhat Çeke, sipas të cilave linja ka të ngjarë të mbetet e mbyllur edhe nesër.
Kryeministri Petr Fiala e quajti aksidentin një tragjedi të madhe dhe u shprehu ngushëllimet e tij familjeve të viktimave.