Një 23-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim për tentativë vrasje dhe grabitje është arrestuar nga Policia në Greqi. Mediat vendase shkruajnë se në pranga ka rënë 23-vjeçari nga Berati Angelos Toska i cili ishte me identitet fals në Greqi, me të dhëna si Panajot Bare 22-vjeç.

Ai është ndaluar rastësisht për një kontroll rutinë nga policia teksa ishte duke lëvizur me motor në zonën e “Kolonos” në Athinë dhe nga kontrolli i efektivëve ka rezultuar se i riu ishte në kërkim për grabitje dhe tentativë vrasje.

Sapo ka parë që policia ka kuptuar identitetin e vërtetë të tij i riu ka tentuar të arratisej por është kapur nga policia. Ndaj tij rezultonte një urdhër arresti i Prokurorisë së Athinës, i datës 04.03.2024 për veprat penale “organizata kriminale”, “vrasje e mbetur në tentativë” dhe “grabitje”.

Në gusht 2023 në zonën e Agios Panteleimonas, së bashku me një tjetër bashkëpunëtor dhe me përdorimin e armës, ai ka plagosur në këmbë një shtetas, ndërsa pak ditë më parë në Ilion, nën kërcënimin e thikës, i ka marrë celularët disa të miturve. Ndaj Angelos Toskës janë ngritur edhe akuzat “falsifikim”, “falsifikimi i certifikatave” dhe “mosbindja”.